Select Page

 – “Ai (Salihu) u ktheu shpinën atyre dhe u tha: “O populli im! Unë jua kumtova mesazhin e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillët këshilluesit.”. – Unë jua komunikova qartë, me dashamirësi e përkushtim të gjithë mesazhin e Zotit për ju. Unë shfrytëzova çdo mundësi për t’ju sjellë në udhën e mbarë dhe në fenë e drejtë. Por ju nuk i donit e as i përfillnit këshilluesit, që ju ftonin në mirësi e mbarësi. Ju iu bindët Shejtanit të mallkuar, që është rebeluar ndaj Zotit dhe rrugës së Tij.

Shumë komentues të Kur’anit përmendin hollësira të tjera në këtë histori, që në fakt janë marrë nga trashëgimia hebraike. Për shembull, thuhet se deveja, e cila ishte mbarsë, doli prej një shkëmbi, dhe ata e panë me sy këtë. Kjo ishte pikërisht mrekullia që vetë ata ia kishin propozuar profetit Salih. Thuhet se, kur ata e therën devenë, i vogli i saj, pasi pëlliti tri herë, u hap mali dhe ai hyri brenda në të. Gjithashtu, thuhet se pas kundërshtimit të tyre, Salihu u tha si shenjë të ardhjes së ndëshkimit se, ditën e parë, fytyrat e tyre do të zverdheshin, ditën e dytë do të skuqeshin dhe në ditën e tretë do të nxiheshin. Sipas këtyre gojëdhënave, pikërisht ashtu ndodhi.

Gjithsesi, këto të dhëna vijnë nga hebrenjtë, prandaj mendojmë se nuk ka pse ato të përdoren si shpjeguese të Kur’anit. Në Librin e Zotit nuk ka ndonjë fakt që të dëshmojë saktësinë e këtyre historive. Nëse ato do të ishin të sakta, patjetër që do t’i  kishte përmendur i Madhëruari në ndonjë mënyrë apo një tjetër. Aq më tepër që në to përmenden shenja madhështore, të cilat i Madhëruari kurrsesi nuk do t’i  anashkalonte duke mos na i treguar. Vetë madhështia e këtyre mrekullive të pretenduara nuk e lejon që dëshmitë për to të vinin në rrugë të pasigurta.

Madje, disa prej tyre Kur’ani i mohon. Për shembull, rrëfimin që fytyrat e tyre do të ndryshonin ngjyrë në tri ditë e hedh poshtë fakti që Salihu u tha: “Kënaquni në vendin tuaj tri ditë rresht”. Domethënë, fytyrat e tyre jo vetëm që nuk ndryshuan duke u zverdhur, skuqur apo nxirë, por përkundrazi, ata u kënaqën për tre ditë rresht, duke e shpërfillur kërcënimin e Zotit. Kur’ani është mëse i mjaftueshëm për të vërtetën, prandaj nuk ka nevojë për tregime të cilëve nuk iu dihet filli dhe saktësia. Nga ana tjetër, nëse vjen një rrëfim i përcjellë me saktësi prej profetit Muhamed a.s, që kurrsesi nuk mund të bjerë ndesh me Librin e Zotit, ai është mëse i pranueshëm dhe shërben si shpjegues i tij.

Madje, është vetë Kur’ani që na udhëzon për t’u mbështetur fort në Traditën e Profetit a.s, kur thotë: “Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Ndëshkues i ashpër.” [Hashr 7]. Edhe më parë e kemi thënë se është i palejueshëm shpjegimi i Librit të Allahut përmes Izraelijateve ose trashëgimisë hebraike, edhe pse ato lejohen të përcillen kur nuk bien ndesh me fenë tonë dhe ne nuk mund të vërtetojmë as saktësinë e as pasaktësinë e tyre. E themi këtë, sepse kumtet dhe kuptimet që përcjell Libri i Zotit duhet të jenë të sigurta, ndërsa rrëfenja të tilla nuk e plotësojnë këtë kriter.55

55  Këto lloj historish ndahen në 3 kategori.

1. Histori  të pranuara  që i besojmë  dhe  i pranojmë. Janë ato që  pohohen nga Kurani e syneti i Profetit (a.s). Kështu p.sh gjen  historin e Jusufit (a.s) apo disa nga historitë dhe ndodhitë e Ibrahimit (a.s) që janë pothuajse të njëjta me atë që sillet në Kuran e në synet. Pra ajo që miratohet nga Kurani e syneti prej historive që gjenden  në librat e tyre, kjo është e pranueshme dhe e besueshme. Por ne na mjafton ajo që  gjendet në librat tanë, Kur’an dhe sunet.

2. Histori të papranueshme të rrefuzueshme. Janë ato që bien ndesh me Kuranin  dhe sunetin e Profetit (a.s),  ose në to ka trillime, shpifje e fyerje për Zotin, emrat, cilësitë dhe atributet e Tij, ose përmbajnë fyerje e dizinformim  rreth profetëve të Allahut.

3. Ai lloj që nuk gjendet në Kuran apo synet  por as nuk përmban ndonjë shpifje, trillim a fyerje për Zotin apo për Profetët e Tij. Gjithashtu nuk bie ndesh me të drejtën dhe të vërtetën e përbashkët të të gjithë profetëve. Ky lloj lejohet  thjesht të transmetohet, por as  nuk duhet besuar si i vërtetë dhe as si i pavërtetë. Sikurse thotë Profeti (a.s): “Transmetoni prej meje  qoftë edhe një ajet!  E flisni  rreth  beni Israilëve  se nuk ka  problem!  Ai që  gënjeu  kundër meje me qëllim  le të përgatisë vendin  e vet në zjarr.  Buhariu.

Ka thënë Profeti (a.s): “Mos i  besoni  ato që thonë Ehlul Kitab  dhe mos i përgënjeshtroni ato e thoni: “I besuam Allahut dhe asaj  që na u  shpall nga Zoti.” Kështu pra muslimani as duhet ti përgënjeshtrojë  sepse mund të përgënjeshtrojë një të vërtetë, dhe as duhet  t’i besojë se mund  të besojë diçka të gabuar. Atëherë çfarë  duhet të bëjë? Thjesht i lejohet që t’i transmetojë e ti tregojë ato e në mënyrë të veçantë  historitë  në të cilat mund të ketë ndonjë mësim e dobi.  [Shkëputur nga tefsiri i Shejh ibn Uthejmin, – Allahu e mëshiroftë.]