Select Page

Zoti yt do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij …Allahu i Lartësuar do të bëjë ndërmjetësimin dhe gjykimin e drejtë e me barazi të plotë, mes të gjithë kundërshtarëve. Në dynja mund të ndodhë që të ketë paqartësi dhe padrejtësi mes kundërshtarëve, sepse provat mund të mungojnë edhe nga keqdashja e njerëzve kundrejt njëri-tjetrit. Por në ahiret është Allahu që di çdo të fshehtë dhe që do ta nxjerrë në shesh të vërtetën e sigurt. 

… dhe Ai është i Gjithëfuqishmi e i Gjithëdituri.Allahu është El Aziz – Krenari dhe Ngadhënjimtari, që ka nënshtruar të gjithë krijesat dhe të gjithë i janë përulur Atij. Ai është El Alim – i Gjithëdituri, që di të gjitha gjërat. Ai i di mirë të gjitha fjalët e kundërshtarëve dhe palëve në konflikt, përse ato i kanë thënë dhe motivet e tyre të fshehta. Ai do t’i japë çdokujt shpërblimin e merituar për atë që ka bërë dhe ka synuar.