– “Pastaj aty u turrën njerëzit e popullit të tij.” – Ata filluan të nxitonin se kush e kush të realizonte më parë qëllimet e tyre të poshtra dhe të shfrenuara.
– “Ata kishin kohë që bënin vepra të turpshme.” – Ata ishin njerëzit e parë që kryen një poshtërsi të tillë, sepse askush para tyre nuk e kishte bërë këtë.
– “Atëherë, ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia (gratë e popullit). Ato janë më të pastra për ju (për martesë).” – Kuptimi i këtyre fjalëve ishte që: femrat janë më të mira dhe të pastra për ju, sesa këta miqtë e mi. Nuk ishte qëllimi që ai vërtet t’u jepte vajzat e tij, që ata të kënaqnin epshet e tyre me to, sepse sigurisht që kjo ishte e ndaluar.
Ky rast i ngjan gjykimit të profetit Sulejman (a.s.) mbi dy gratë, që pretendonin secila përkatësinë e fëmijës që mbeti gjallë pasi nuk e hëngri ujku. Secila prej tyre pretendonte se fëmija që e hëngri ujku ishte i tjetrës. Profeti Sulejman (a.s.) gjykoi që fëmija të ndahej në dysh dhe secilës t’i jepej gjysma. Në këtë çast, nëna e vërtetë – e shtyrë nga mëshira – tha menjëherë se fëmija ishte i gruas tjetër, duke hequr dorë nga e drejta e saj. Atëherë, Sulejmani (a.s.) e zbuloi se cila ishte nëna e vërtetë.
Në fakt, ai nuk do ta ndante vërtet fëmijën, por thjesht donte t’i bënte ato të reflektonin drejt në lidhje me çështjen. Po kështu, edhe profeti Lut (a.s.) iu drejtua popullit të tij duke u thënë: Ja ku janë bijat e mia! Ato janë më të pastra se poshtërsitë që kryeni ju. Femrat janë ato që Zoti i krijoi për meshkujt, dhe e tillë është natyrshmëria e pastër. Domethënë, qëllimi i Profetit ishte që t’i frenonte ata njerëz nga fëlliqësia që donin të kryenin.
– “Kijeni frikë Allahun e mos më turpëroni me mysafirët e mi!” – Janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që duhet t’ju bëjnë të më nderoni dhe të mos më fyeni me miqtë e mi. Vetëm njëri do të ishte mëse i mjaftueshëm që ju të më respektoni. Së pari, frika ndaj Allahut dhe, së dyti, respekti ndaj meje.
– “A nuk ka ndër ju një njeri me mend?” – A ka ndonjë njeri me mend, që t’ju këshillojë dhe ndalë nga kjo vepër e shëmtuar, me të cilën jeni përlyer! Kjo tregon se ata ishin zhveshur tërësisht nga burrëria dhe çdo cilësi njerëzore.