– “Sa për ata që e shesin besën e dhënë Allahut dhe i ndryshojnë zotimet e tyre për hir të një vlere të vogël (të kësaj bote), …” – Allahu i Lartësuar i ka përshkruar këta njerëz me cilësi tepër të ulëta: së pari, ata e shesin premtimin e dhënë Allahut dhe, së dyti, ata shkelin zotimet dhe marrëveshjet e tyre me njerëzit, e këtë e bëjnë thjesht për të fituar diçka shumë të vogël nga kjo dynja.
Në këtë kategori futen ata njerëz që marrin ndonjë shpërblim për lënien e detyrimeve ndaj Allahut dhe ndaj njerëzve. Pra, çdokush që lë bindjen ndaj Zotit dhe të drejtat e njerëzve, për të arritur ndonjë qëllim të tijin prej kësaj dynjaje konsiderohet i tillë. Po ashtu, çdokush që bën betim të rremë për të përfituar nga pasuritë dhe të drejtat e të tjerëve hyn në këtë kategori. Të gjithë këta dhe të tjerët që u përngjajnë atyre kanë një kërcënim nga Allahu i Lartësuar:
– “… nuk do të kenë pjesë në Jetën tjetër. Allahu nuk do t’u flasë dhe nuk do t’i shohë ata në Ditën e Kijametit. Ai nuk do t’i pastrojë ata (nga gjynahet) dhe ata do të kenë një dënim të dhembshëm.” – Ky është ndëshkimi i merituar për këta të padrejtë. Ata nuk do të kenë pjesë prej së mirës në ahiret. Allahu nuk do t’u flasë dhe nuk do t’i shikojë ata Ditën e Gjykimit, sepse Ai do të jetë i zemëruar me ta. Allahu do të jetë i zemëruar, sepse ata i japin përparësi plotësimit të pasioneve dhe dëshirave të tyre të sëmura, kundrejt kënaqësisë së Tij.
Për këtë arsye, Allahu nuk do t’i pastrojë ata nga gjynahet e tyre, nuk do t’ua fshehë të metat e tyre dhe nuk do t’ua mbulojë padrejtësitë që kanë bërë. Si pasojë, ata do të kenë ndëshkim të dhembshëm, që do ta vuajnë trupat dhe zemrat e tyre. Sa i hidhur dhe dëshpërues mund të jetë zemërimi i Allahut ndaj tyre, që të mund të shprehej me fjalë?! Po fakti që ata nuk do ta shohin kurrë Zotin e gjithësisë?! Po ndëshkimi dhe vuajtja e përjetshme në Xhehenem?! Allahu na ruajt dhe na mëshiroftë, se Ai është Mëshirues i madh.