Select Page

Kujtoni robin, adhuruesin e sinqertë dhe Profetin Tonë të dashur Nuh (a.s). Kujtoje atë duke e lavdëruar dhe treguar cilësitë dhe virtytet e tij të larta. Allahu e dërgoi Nuhun si profet te populli i tij. Ai qëndroi mes tyre 950 vjet, duke i ftuar të adhuronin Allahun e Madhëruar si Një të vetëm dhe për t’u larguar nga idhujtaria. Ai i këshillonte në çdo gjendje e kohë, natë e ditë, haptazi dhe fshehtazi.

Por kur e pa që tek ata nuk ndikonin aspak paralajmërimet, kërcënimet dhe këshillat, Nuhu iu lut Zotit të tij, duke thënë: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”. [Nuh 26 – 28].

Dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij, duke i përmbytur të gjithë dhe duke mos lënë asnjë prej tyre gjallë. Allahu shpëtoi vetëm Nuhun, familjen e Nuhut dhe pasuesit e tij besimtarë, duke i bartur në një anije të mbushur plot. Allahu bëri që vetëm pasardhësit e familjes së tij të mbetur të vazhdonin jetën e të shtoheshin. E gjithë bota janë pasardhës të Nuhut. Kështu e ndihmoi Allahu Nuhun kundër popullit që u tall me të.