– “Bëhu durimtar sepse Premtimi i Allahut është i Vërtetë!” – Kuptimi: Bëj durim, o i Dërguar! Bëj durim gjatë ftesës së popullit tënd dhe qëndro i patundur përballë mundimeve që ata të sjellin. Për të forcuar durimin, mbështetu te besimi yt. Besimi është ndihma dhe ushqimi kryesor për durimin, sidomos besimi në premtimin e vërtetë të Allahut. Përqendrohu në fjalën e Allahut: “Pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë.” Atëherë, le të jetë ky premtim i vërtetë i Allahut lehtësim dhe qetësim për zemrën tënde, le të jetë ilaç për plagët dhe vështirësitë e rrugës.
Ky besim të lehtëson që të jesh i qëndrueshëm dhe i durueshëm në rrugën e vështirë të davetit. Allahu i Lartësuar premton se do ta ndihmojë Profetin e Tij, do të bëjë që të triumfojë feja e Tij dhe do ta lartësojë Fjalën e Tij. Ai do t’u dhurojë fitore Profetit dhe pasuesve të tij si në dynja, edhe në ahiret. Le të jetë, gjithashtu, si lehtësim e mbështetje edhe ndëshkimi i armiqve të tyre në dynja dhe në ahiret. Ndëshkimi që Zoti u jep jobesimtarëve dhe armiqve të Islamit le të jetë qetësim për zemrat e besimtarëve, le të jetë lehtësim për të qenë të durueshëm në rrugën e drejtë, si dhe tregues i qartë se i Madhëruari kujdeset për besimtarët dhe i mbështet ata në rrugën e tyre. Më tej, i Lartësuari thotë:
– “Ne ose do të bëjmë të shohësh (ne këtë jetë) diçka nga dënimi që u kemi premtuar atyre, ose do ta marrim shpirtin tënd (para ndëshkimit të tyre). Sidoqoftë, ata tek Ne do të kthehen.” – Ky është premtimi i Allahut, që duhet t’i qetësojë zemrat tuaja. I Madhëruari premton se ose do t’i godasë me ndonjë ndëshkim, që do të dëshmohet nga Profeti, ose do ta marrë Profetin para ndëshkimit të tyre. Por gjithsesi ata: “… tek Ne do të kthehen”. Dhe kur të kthehen tek Zoti, Ai do t’i japë secilit atë që meriton, sipas veprave të tyre. Ata kurrë nuk mund t’i shpëtojnë llogarisë së të Drejtit, të Gjithëditurit, të Plotpushtetshmit, që thotë: “Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri.” [Ibrahim 42].
Pas këtyre porosive të mrekullueshme dhe pas premtimeve qetësuese dhe inkurajuese për të qenë i patundur në rrugën e davetit, i Madhëruari vijon përsëri ta qetësojë dhe t’i japë forcë Profetit të Tij, duke i kujtuar vëllezërit e tij profetë: