Select Page

– “Ata (bijtë e Jakubit) thanë: “Në pastë vjedhur ky, atëherë ka vjedhur më parë edhe një vëlla i tij.”” – Kur vëllezërit e Jusufit panë atë që panë, thanë: “Nëse ky ka vjedhur, atëherë kjo nuk është dhe aq çudi.” Ata kishin për qëllim Jusufin, duke dashur të pastronin figurën e tyre. Ata donin të tregonin se Benjamini dhe vëllai i tij, Jusufi, mund të vidhnin.

Sipas tyre, meqë ata i kishin vëllezër vetëm nga nëna, atëherë nuk ishin njëlloj, prandaj edhe mund të bënin diçka të tillë si vjedhja. Sigurisht, këto ishin fjalë tepër të rënda, por megjithatë Jusufi e përmbajti veten. Allahu i Lartësuar thotë:

– “Por, Jusufi i mbajti të fshehtë në vete dhe nuk ua tregoi atyre këto fjalë: “Ju jeni në pozitë shumë më të keqe”…” – Jusufi – nuk iu kthye atyre me fjalë të rënda dhe ndëshkuese, por e mbajti zemërimin. Duke u treguar i përmbajtur dhe i duruar, ai vazhdoi me planin e tij të mirëmenduar. Ndërsa në vetvete tha: “Ju jeni në pozitë shumë më të keqe.

Duke na akuzuar për diçka që nuk e kemi, ju tregoni se jeni në një pozitë shumë më të keqe. Ju na akuzoni për diçka të paqenë, ndërkohë që vetë keni kryer diçka që është shumë më e rëndë dhe më e dënueshme sesa kjo që po na akuzoni.”

– “… dhe Allahu e di më së miri atë që ju po thoni.” – Kuptimi: Allahu është më i ditur për atë që ju shpifni rreth nesh. Allahu i Lartësuar e di shumë mirë që ne jemi të pastër nga kjo akuzë dhe cilësi e ulët. Pastaj ata filluan që t’i përgjëroheshin Jusufit që ta falte dhe ta çlironte vëllain e tyre, Benjaminin: