– “Kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll dhe tha: ….” – Kur ra nata, Ibrahimi (a.s)pa një yll. Mbase këtu është fjala për ndonjë yll më të shndritshëm se të tjerët, meqë është përmendur veçmas të tjerëve. Për këtë arsye, – dhe Allahu është më i ditur – kanë thënë që ai ishte ylli El Zehra.
– “Ky është Zoti im.”. – Duke folur me logjikën e kundërshtarëve, Ibrahimi (a.s)iu drejtua atyre dhe u tha: “O ju që adhuroni yjet, ejani të shikojmë dhe ta mendojmë mirë këtë çështje! Le të supozojmë se ky yll, që ju adhuroni, është vetë Zoti. Por, vallë, a e meriton ai që ta trajtosh si Zot e Krijues të gjithçkaje? A ka ndonjë provë të konsiderueshme për këtë? Le ta mendojmë mirë këtë çështje, sepse nuk i shkon një të mençuri që të konsiderojë si Zot pasionin e vet, pa patur asnjë fakt apo arsyetim.
– “Por kur ai u zhduk, tha: “Unë nuk i dua ata që humbin.” – Kur ylli u zhduk, atëherë Ibrahimi a.s, për t’i bërë njerëzit të arsyetonin, tha: “Nuk e dua atë që ikën e zhduket nga adhuruesit e vet. I adhuruari duhet që të kujdeset pandërprerë për adhuruesit të tij, për rregullimin dhe administrimin e të gjitha çështjeve të tyre. Si mund të konsiderohet si Zot dikush a diçka që zhduket për një kohë të gjatë, kohë kur nuk i ndihet aspak përkujdesi? Të tillë nuk meritojnë aspak të adhurohen. Madje, adhurimi i tyre konsiderohet si mendjelehtësia më e madhe.”