– “Kur ata takohen me besimtarët, thonë: “Ne besojmë”.” – Pra, ju deklaronin besimtarëve se edhe ata besonin, por kjo ndodhte vetëm me gjuhë, sepse ata thonin diçka që, në fakt, nuk e kishin në zemër.
– “Por kur veçohen me njëri-tjetrin, thonë: “A po u tregoni atyre (muslimanëve) për atë që Allahu ju ka shpallur juve, që ata të kenë argumente para Zotit tuaj, kundër jush?!”” – Domethënë, ata qortonin njëri-tjetrin, duke thënë: A po u deklaroni atyre se edhe ju besoni në vërtetësinë e fesë së tyre? A e dini që kjo mund të shfrytëzohet prej tyre si argument kundër jush?!
A e dini që ata do të thonë për ne: “Ata e pranuan se rruga jonë dhe besimi ynë është i vërtetë dhe i saktë, ndërsa rruga dhe feja e tyre është e kotë”. Dhe, sigurisht, këtë do ta përdorin si argument kundër jush para Allahut, Zotit tuaj.
– “A nuk e kuptoni?!” – Kuptimi: “A nuk po mendoheni pak dhe të hiqni dorë prej atij veprimi, të cilin ata do ta përdorin si argument kundër jush?” Këto janë fjalë që ata ua thonin njëri-tjetrit me qortim.