– “Ato janë Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jenë përjetë.” – Për të tillët janë gradat e larta dhe të zbukuruara të Xhenetit. Ata do të lumturohen mes kënaqësive të pandërprera, nëpër lumenjtë e rrjedhshëm dhe jetës së këndshme, që do të vazhdojë përjetësisht. Atje ka gjëra që syri s’i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut kurrë nuk i ka menduar.
– “Ky është shpërblimi i atyre që janë pastruar (nga mosbesimi).” – Ky shpërblim i madh është përgatitur për ata që janë pastruar nga shirku, kufri, shkelja e kufijve të Zotit e mosbindja ndaj Tij. Këta ose i kanë lënë tërësisht të tilla vepra të këqija, ose gjithmonë janë penduar për to.
Ata e kanë pastruar veten duke e mësuar dhe ushtruar imanin e pastër. Fjala “tezkije” përmban dy kuptime njëkohësisht: pastrimin nga ndyrësitë e ligësitë dhe shtimin e të mirave dhe mbarësisë. Edhe zekati quhet kështu, sepse ai është pastrim i pasurisë nga të ligat dhe, nga ana tjetër, dhënia e zekatit e shton dhe e përmirëson pasurinë.