– “Atëherë, ai filloi të kontrollonte ngarkesat e tyre, përpara ngarkesës së vëllait të vet.” – Jusufi (a.s.) e filloi kontrollin me ngarkesat e tyre, para se të kontrollonte barrën e Benjaminit, që të mos ngjallte dyshime tek ata se ndoshta e kishte bërë me qëllim.
– “Më në fund ai e nxori atë (gotën) nga ngarkesa e të vëllait.” – Pasi kontrolloi tek kafshët e tyre dhe nuk gjeti gjë, ai e nxori atë nga deveja e të vëllait.
– “Kështu, e mësuam Ne Jusufin të bënte këtë plan.” – Kështu, Jusufi (a.s) bëri të mundur që ta mbante Benjaminin, pa u kuptuar nga vëllezërit e tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, e mësuam Ne Jusufin të bënte këtë plan.” Dhe ky ishte një plan shumë i mirë.
– “Sipas ligjit të Mbretit, atij nuk i takonte ta mbante vëllanë e vet, veç nëse do të ishte dëshira e Allahut.” – Sipas ligjit të Mbretit, Jusufit nuk i takonte që ta robëronte atë që akuzohej për vjedhje, sepse ata kishin tjetër ndëshkim për vjedhjen.
Nëse Beniamini do të gjykohej sipas ligjit të Mbretit, Jusufi nuk do të mund ta mbante vëllain e tij pranë vetes. Për këtë arsye, ai ua la në dorë gjykimin vëllezërve të tij, në mënyrë që të realizohej plani i përgatitur. Allahu i Lartësuar thotë:
– “Ne e lartësojmë në dituri atë që duam.” – Allahu i Madhëruar e dallon atë që Ai dëshiron, me dituri të dobishme dhe njohuri rreth rrugëve që të çojnë drejt suksesit. Kështu Allahu i Madhëruar e ngriti lart gradën e Jusufit (a.s).
– “Por, mbi çdo të dijtur, ka të tjerë edhe më të ditur.” – Mbi çdo të ditur ka një tjetër, që është më i ditur se ai, derisa të mbërrijnë tek Allahu, që është i Gjithëdituri rreth të fshehtave dhe të dukshmes. Asnjë nuk është më i ditur se Allahu i Lartësuar dhe as që mund t’i afrohet diturisë së Tij. Madje, krijesat dinë veçse atë që Allahu u ka mësuar dhe u ka mundësuar të dinë.