– ”Prej çdo populli Ne do të nxjerrim një dëshmitar e do t’u themi: “Sillni argumentin tuaj!” – Ditën kur të tubohen të gjithë para Allahut, do të nxirret nga çdo popull që mohuan të vërtetën nga një dëshmitar për atë që ndodhi në dynja dhe për shirkun dhe besimet e tyre të kota. Këta do të jenë përfaqësues që do të zgjidhen nga mesi i parisë dhe udhëheqësve që ishin në humbje e devijim. Këta do të përpiqen të mbrojnë ata të cilët përfaqësojnë në këtë përballje me drejtësinë.
Por kur ata të fillojnë polemikën për të mbrojtur kotësinë në të cilën ishin zhytur në dynja, atëherë do t’u thuhet: “Sillni argumentin tuaj! Sillni faktet që tregojnë për saktësinë e idhujtarisë dhe mos vallë ju patën urdhëruar për këtë profetët e mi? Mos vallë e gjetët këtë në një nga librat e Mi? Ku është treguar në to se dikush tjetër meriton të adhurohet? Cili nga idhujt mund t’ju sjellë ndonjë dobi ose t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i Allahut? Cili do t’ju mbështesë tani në në nevojat e tuaja? Sillni prova, nëse keni!”
– ”Atëherë do ta kuptojnë se e vërteta i takon (vetëm) Allahut …” – Atëherë do të binden për kotësinë dhe padrejtësinë e fjalëve dhe besimeve të tyre dhe se: “…e vërteta i takon (vetëm) Allahut.” Atëherë del në pah padrejtësia e tyre dhe drejtësia e Allahut.
– ”… dhe çdo trillim i tyre do të dështojë.” – Atëherë dalin në pah edhe gënjeshtrat, që do të zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Atëherë do ta kuptojnë se Allahu gjykon me drejtësi dhe dënon atë që e meriton.