Select Page

– “Edhe ata që u bënë besimtarë më pas, që mërguan dhe luftuan së bashku me ju, janë vëllezërit tuaj.” – Atyre u takon çdo trajtim që ju bëhet juve dhe kanë të njëjtat detyrime dhe përgjegjësi sikurse ju. Kjo ishte lidhja e fortë dhe dashuria e imanit. Në fillimet e Islamit, kjo lidhje ishte shumë e fortë për zemrat e besimtarëve.

Vëllazërimi që bëri Profeti (a.s) mes muhaxhirëve dhe ensarëve ishte unik dhe qëndronte përveç vëllazërisë së përgjithshme që bashkon besimtarët. Madje, në fillimet e kësaj lidhjeje, muhaxhirët dhe ensarët kishin të drejtë trashëgimie ndaj njëri-tjetrit. Por më pas Allahu i Lartësuar shpalli ajetet:

– “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit.” – Tashmë pjesëtarë në trashëgimi do të jenë veçse të afërmit, që Sheriati i ka përcaktuar mirë, shkallë-shkallë, sipas fortësisë së lidhjes. Këto i tregon qartë Libri i Allahut, domethënë Sheriati i Tij.

– “Allahu Di gjithçka.” – Pjesë e diturisë absolute të Allahut është edhe dija e Tij rreth gjendjes suaj dhe ligjeve që janë të përshtatshme dhe rregulluese të jetës suaj. Allahu është më i Dituri dhe i Urti rreth ligjeve që ju përshtaten dhe rregullojnë çështjet e kësaj jete dhe të jetës tjetër. 76 

Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Enfal. Lavdia e plotë i takon Allahut të Vetëm dhe të Pashoq!

76 Vëllazërimi mes muhaxhirëve dhe ensarëve. Profeti a.s. kreu atë çka quhet: “Vëllazërimi mes ensarëve dhe muhaxhirëve”, në shtëpinë e Enes Ibn Malikut. Gjithsej ishin nëntëdhjetë burra: gjysma ensarë dhe gjysma muhaxhirë. Vëllazërimi ishte një lidhje që i detyronte të ishin solidarë e të përkrahnin njëri-tjetrin, si dhe u jepte të drejta trashëgimie ndaj njëri-tjetrit, pa përfshirë në këtë të drejtë të afërmit e gjakut, mirëpo ky rregull trashgimie vazhdoi deri në ngjarjen e madhe të Bedrit, atëherë kur Allahu i Madhëruar  zbriti ajetin: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin, sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit, përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj.” (Ahzab 6).

Me këtë ajet, e drejta e trashëgimisë iu kthye parimit të mëparshëm, atij të farefisnisë, dhe u ndalua trashëgimia mbi bazat e vëllazërimit. Thuhet se ai vëllazëroi edhe muhaxhirët me njëri-tjetrin, dhe se Pejgamberi a.s. konsideroi si vëlla të vet, Aliun (r.a.). Por më e saktë dhe e sigurt është dëshmia vetëm për vëllazërimin mes muhaxhirëve dhe ensarëve, e jo e dyta, sepse, faktikisht, muhaxhirët nuk kishin pse të vëllazëroheshin me njëri-tjetrin. Ata i bashkonte vëllazëria në Islam, i bashkonte origjina, vendi dhe farefisnia.

Por edhe sikur të kishte vëllazëruar muhaxhirët me njëri-tjetrin, ai që do ta meritonte më tepër vëllazërimin me Muhamedin a.s. do të kishte qenë njeriu më i dashur për të, shoqëruesi i tij në udhëtimin e emigrimit, ngushëlluesi i tij në shpellë, më i miri dhe me i nderuari i sahabëve, vetë Ebu Bekri, i Sinqerti. E si mund të ndodhte ndryshe, kur dihet se Profeti a.s. ka thënë: “Nëse do të zgjidhja ndonjë mik të dashur e të ngushtë nga banorët e tokës, ai do të ishte Ebu Bekri, por, vëllazëria në Islam është më e mirë.”

Ndërsa sipas një dëshmie tjetër: “… por ai është vëllai dhe shoku im.” Vëllazëria në Islam është gjithëpërfshirëse dhe e përgjithshme për të gjithë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit, ashtu siç deklaron Profeti a.s.: “Sa do të dëshiroja të shihja vëllezërit e mi!” Sahabët e pyetën: “Po a nuk jemi ne vëllezërit e tu?” Ai tha: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ca njerëz që do të vijnë pas meje, të cilët do të më besojnë, edhe pse nuk do më shohin.” E pra, Ebu Bekër i Sinqerti ishte vëllai dhe shoku më mirë i Profetit a.s. Të gjithë sahabët ishin vëllezër dhe shokë të Profetit a.s., kurse të mëvonshmit janë vetëm vëllezër në Islam me Profetin a.s. dhe jo shokë të tij. Shkëputur nga “Zadul mead” vell 3.

 Leja për të luftuar. Pasi Profeti a.s. arriti një qëndrueshmëri në Medinë, Allahu i Madhëruar i dha ndihmën e Tij të madhe me anë të adhuruesve të Tij besimtarë, të cilët i dolën në krah. Ishte Allahu i Madhëruar që i bashkoi zemrat e atyre, të cilat deri dje kishin qenë të ndara nga armiqësia dhe mëritë mes njëri-tjetrit. Këta burra i dolën Profetit a.s. krah kundër çdo të ziu dhe të kuqi. Ata mbrojtën atë duke falur shpirtrat e tyre në rrugën e Allahut. Ata e deshën Profetin a.s. më shumë se prindërit, fëmijët dhe bashkëshortet e tyre.

Profeti a.s. ishte përparësia kryesore, madje ishte më parësor edhe se shpirtrat e tyre. Ata u goditën dhe kërcënuan prej arabëve dhe hebrenjve, të bashkuar si një grusht i vetëm, duke përjetuar armiqësinë dhe egërsinë e luftës së tyre. Arabët dhe hebrenjtë mobilizuan njerëz nga të gjitha anët kundër këtij umeti të ri, por Allahu i Madhëruar vazhdonte t’i urdhëronte muslimanët të ishin të durueshëm, falës e të butë. Kjo ndodhi deri në momentin kur kjo bashkësi e brishtë u forcua dhe mori krah të mjaftueshëm.

Atëherë Allahu i Lartësuar u lejoi atyre që të luftojnë. Them ua lejoi, por nuk i urdhëroi për luftë. Kështu në suren Haxh, ajeti 39, Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen me luftë), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë…” Në lidhje me këtë, disa kanë thënë që ky lejim është bërë që në periudhën e Mekës, aq më tepër që kjo sure njihet si sure mekase.

Megjithatë, ky qëndrim është i gabuar për shumë arsye. Së pari, është e sigurt që Allahu i Madhëruar nuk i lejoi besimtarëve të zhvillojnë luftë kur ishin ende në Mekë, sepse ata nuk kishin kurrfarë mundësie atje. Konteksti i ajetit tregon se leja është dhënë pas emigrimit dhe dëbimit nga shtëpitë e tyre, sepse Allahu i Lartësuar thotë në ajetin vijues të sures Haxh: “…ata, të cilët  janë dëbuar nga vatrat e tyre vetëm pse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Këtu pa dyshim është fjala për muhaxhirët.

Fjala e Allahut të Lartësuar në fillim të kësaj sureje: “Besimtarët dhe jobesimtarët grinden për Zotin e tyre…” flet rreth dy grupeve që u përballën në luftën e Bedrit (besimtarë dhe jobesimtarë). Në fund të kësaj sureje, Allahu i Madhëruar përdor thirrjen: “O ju që besoni”, stil ky i ajeteve që zbritën në Medinë, ndërsa thirrja: “O njerëz” përdoret në të dyja kategoritë e ajeteve (mekase dhe medinase).

Pa dyshim që Allahu i Madhëruar ka urdhëruar për xhihad, i cili kryhet në disa forma, por urdhri për luftë me shpatë ka ndodhur veçse pas hixhretit. Për sa i përket xhihadit me argument dhe qartësim të së vërtetës, Allahu i Madhëruar urdhëroi për të që në Mekë, kur tha: “Prandaj, ti mos i dëgjo jobesimtarët e lufto kundër tyre me përpjekjet më të mëdha me të (me Kur’an).” (Furkan 52).

Kjo sure pa dyshim, është sure e zbritur në epokën e Mekës, dhe xhihadi që zhvillohej në atë kohë ishte përcjellja e qartë dhe e argumentuar e të vërtetës te njerëzit. Nga ana tjetër, xhihadi që përmendet në suren Haxh përfshin në vetvete edhe xhihadin me shpatë. El Hakimiu sjell në “Mustedrak”, duke cituar Eameshin, i cili transmeton prej Muslim el Batinit, e ky prej Seid Ibn Xhubejrit, që citon Ibn Abasin: “Kur Profeti a.s. doli prej Mekës, Ebu Bekri tha: “E dëbuan Profetin e tyre! Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Kanë për t’u shkatërruar!”

Atëherë Allahu i Madhëruar  zbriti ajetet: “Atyre që sulmohen me luftë, u është dhënë leja të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi…” (Haxh 39). Ky është ajeti i parë që zbriti rreth çështjes së luftës. Senedi i tij plotëson kushtet e Buhariut dhe Muslimit. Përmbajtja e sures tregon se në të ka ajete të zbritura në Mekë dhe ajete të zbritura në Medinë. Kështu për shembull, historia e ndërhyrjes së shejtanit duke shtuar në atë që lexoi Profeti është e tipit të Mekës. Megjithatë, Allahu e di më mirë.