– “Përse nuk pendohen tek Allahu dhe t’i kërkojnë falje Atij, kur dihet mirë se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë?” – Ata ftohen të kthehen të penduar në besimin e drejtë, duke e pranuar Allahun si të vetmin që meriton adhurimin dhe se Isai (a.s)ishte rob, krijesë dhe adhurues i Allahut, është thjesht Profeti i Tij. Ata ftohen të pendohen nga besimi i kotë që pasonin më parë dhe t’i kërkojnë falje Allahut për ato fjalë të turpshme dhe të padrejta.
Nëse e bëjnë këtë, pra, nëse pendohen, ta dinë se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Ai i fal dhe i mbulon gjynahet e të penduarve, edhe sikur të kenë mbushur edhe kupën e qiellit. Ai i mëshiron të penduarit, duke ua pranuar pendimin dhe duke ua shndërruar veprat e këqija në vepra të mira.
Shihni me kujdes se me çfarë fjalësh ua bën Allahu ftesën: me fjalët më të zgjedhura, që tregojnë dashuri, butësi e mëshirë. Ai nuk u thotë “Pendohuni!”, por u thotë: “ A nuk po pendohen…?” Bëni dallimin! Në vijim, Allahu i Madhëruar përshkruan natyrën e vërtetë të Isait (a.s)dhe nënës së tij, ashtu si ishin në të vërtetë: