– ”Kur u lexohen ajetet tona të qarta, jobesimtarët u thonë atyre që kanë besuar: “Cili nga dy grupet ka pozitë më të lartë dhe rreth më të mirë?” – Ajetet e Allahut janë të qarta e të shtjelluara në detaje, në mënyrën më të kuptueshme. Ato tregojnë qartë se Allahu i Madhëruar është i Vetëm në çdo aspekt dhe se profetët janë besnikë dhe të vërtetë në kumtimin e Shpalljes.
Ai që i dëgjon dhe i respekton ajetet e Zotit, patjetër që do të fitojë besim të sinqertë dhe do të jetë i sigurt në vërtetësinë e tyre. E kundërta ndodh me mohuesit. Në vend që t’i dëgjojnë me respekt dhe qëllimin për të gjetur të vërtetën, ata tallen me shpalljen e Zotit dhe me të gjithë ata që i besojnë ato.
Ata e arsyetojnë këtë zgjedhje me faktin se në jetën e kësaj bote janë të pasur e të vlerësuar dhe qëndrojnë shumë më lart se besimtarët. Duke u lavdëruar e duke shprehur refuzim të së vërtetës, thonë: “Cili grup ka pozitë më të lartë dhe rreth më të mirë?” Pra, cilët kanë më tepër prestigj, ne apo besimtarët? Në jetën e kësaj bote, ata lëvdohen para besimtarëve me pasurinë e numrin e madh të fëmijëve.
Ata mburren edhe me kënaqësitë pa fre, duke i konsideruar ato si tregues të privilegjit. Pasuria, fëmijët, aleatët dhe pushteti që kanë, i bëjnë të mendojnë se janë më të mirë se besimtarët. Sigurisht, ky lloj arsyetimi është tërësisht i gabuar dhe i pavend. Kjo është përmbysje e realitetit, sepse shpeshherë, pasuria e fëmijët e shumtë, bukuria e pushteti bëhen shkak për shkatërrimin e dëshpërimin e njeriut.