Select Page

Edhe ata që, kur këshillohen me Ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën sikur të ishin të shurdhër e të verbër. – Kur Ai i urdhëron që të dëgjojnë urdhëresat dhe të marrin udhëzim prej tyre, ata: “…nuk u kthejnë shpinën si të shurdhër e të verbër.” Pra, nuk ua kthejnë shpinën ose të mbyllin veshët. I Lartësuari thotë: “Argumentet Tona i besojnë veç ata të cilët, kur këshillohen me to, bien me fytyrë në tokë (bëjnë sexhde), e madhërojnë dhe lëvdojnë Zotin e tyre me tesbiĥ dhe ata kurrë nuk bëjnë kryelartësi.” [Sexhde 15].

Pra, ata i pranojnë me respekt dhe mirënjohje porositë dhe urdhëresat e Zotit të tyre, duke treguar varfërinë dhe nevojën e tyre të madhe për to, përkushtimin dhe impenjimin për t’i zbatuar, dorëzimin e plotë për të jetuar sipas tyre. Ata i dëgjojnë me vëmendje të plotë dhe zemrat e tyre i kuptojnë kumtet e Allahut, prandaj atyre u shtohet imani dhe u forcohet siguria. Atyre u shtohet vullneti dhe forca për punë të mira dhe ndiejnë kënaqësi dhe lumturi me gjallërinë që fitojnë në besimin e tyre.