– ”Thuaj: “Pa mendoni, po ta bënte Allahu ditën të vazhdueshme deri në Ditën e Kijametit, cili zot përveç Allahut mund t’ju sjillte natën që të pushoni? A nuk shihni?” – A nuk e shihni ditën, që ju sjell dobi duke ju mësuar shumë gjëra dhe duke ju ndriçuar, që të ndiqni rrugën e drejtë. Vërej me kujdes! Kur foli për natën, Allahu thotë: ”A nuk po dëgjoni?” Ndërsa për ditën thotë: ”A nuk shikoni?” Arsyeja është se gjatë natës, forca e dëgjimit është më e rëndësishme e dobiprurëse sesa forca e shikimit dhe e kundërta është gjatë ditës.
Në këto ajete kemi një nxitje që robi të meditojë në mirësitë e Allahut dhe të përpiqet të shohë se çfarë dobish i sjellin këto mirësi. Le të mendojë se si do të ishte gjendja e tij nëse nuk do t’i kishte ato mirësi. Nëse robi do të krahasojë dy gjendjet, do të kuptojë më qartë mirësinë që Zoti i ka dhënë. Ndryshe ndodh me dikë që vazhdon të shijojë e kënaqet me mirësitë e Allahut dhe zemra e tij vazhdon të jetë e verbër dhe të mos i shohë ato mirësi dhe të mos e përlëvdojë Zotin e tij, që ia dhuroi. Ajo zemër nuk e njeh varfërinë, përunjësinë dhe nevojën e madhe ndaj Zotit në çdo gjendje. Ai nuk arrin që, nëpërmjet meditimit, të ngjallë në zemër mirënjohjen ndaj Zotit.