Select Page

– “Me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtaët që ishin me të …” – I Gjithëmëshirshmi i shpëtoi Hudin (a.s)dhe të gjithë besimtarët që ishin me të, me mëshirën e Tij. Ishte pikërisht Allahu që i udhëzoi ata në fenë e drejtë, dhe kështu ata fituan mëshirën e Tij dhe shpëtuan nga ndëshkimi i Tij.

– “… dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” – Ndëshkimi i ashpër nuk la gjallë asnjë prej tyre. I Madhëruari dërgoi mbi ta një furtunë shkretuese, e cila kudo që kalonte e çdo gjë që prekte e shndërronte në pluhur e rërë. Kështu, ata u shfarosën dhe më pas ngelën vetëm rrënojat e vendbanimeve të tyre.

Ky qe përfundimi i atyre që u paralajmëruan dhe iu paraqitën shumë argumente bindëse, por ata i  shpërfillën dhe i mohuan. Ata nuk denjuan të  respektonin shpalljet e Allahut duke u bindur e duke i zbatuar ato. Ata u urdhëruan të përqafonin fenë e drejtë, por rrefuzuan me arrogancë e shpërfillje, prandaj morën atë ndëshkim poshtërues.

Në suren Hud, i Madhërishmi thotë: “Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!” [Hud 60]. Ndërsa në këtë ajet thotë:

– “… dhe ua premë rrënjët atyre që kundërshtuan Argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” – Ata nuk kishin aspak besim në zemër, por mohonin me këmbëngulje e mendjemadhësi dhe përhapnin shkatërrimin.