Select Page

– “Ka, sigurisht, prej jush që do të bishtnonin.” – Kuptimi: Janë disa prej jush, o besimtarë, të cilët tregohen të dobët, frikacakë dhe i bëjnë bisht xhihadit në rrugën e Zotit. Pra, sipas nesh, këtu bëhet fjalë për besimtarët me besim të dobët. Disa janë të mendimit se këtu flitet për ata që i nxisin të tjerët të mos luftojnë, domethënë për munafikët. Por shpjegimi i parë është më i saktë, për dy arsye: Së pari, Allahu i Lartësuar thotë: “ka disa prej jush…”, pra, Ai u drejtohet besimtarëve.

Së dyti, Allahu i Lartësuar thotë: “…a thua se mes jush dhe atyre nuk ekziston ndonjë lloj dashurie.” Dhe dihet se Allahu i Lartësuar e ka larguar nga besimtarët dashurinë për qafirët dhe munafikët afërsinë me ta. Kësisoj, në këtë ajet nuk flitet për jobesimtarët dhe hipokritët. Pastaj, këtë fakt e vërteton edhe realiteti, sepse besimtarët ndahen në dy kategori:

1. Besimtarë të fortë, me besim të sinqertë dhe të plotë, që i bën ata të punojnë e luftojnë në rrugën e Zotit.

2. Besimtarë të dobët, që e kanë pranuar Islamin, por që kanë në zemër besim të vagët dhe të pamjaftueshëm për të luftuar në rrugën e Zotit. Ja si thotë i Lartësuari në një ajet: “Beduinët thanë: “Ne kemi besuar.” Thuaju: “Ju ende nuk keni besuar, prandaj thoni ‘Hymë në Islam’, sepse besimi nuk ka hyrë ende në zemrat tuaja.”. [El huxhurat 14]. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon arsyen e këtyre njerëzve me besim të dobët, duke na qartësuar se qëllimi i tyre i vërtetë është dynjaja dhe pasuritë e saj:

– “E nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, ata thonë: “Allahu më favorizoi që nuk isha bashkë me ta.”.” – Pra, nëse besimtarët humbasin, lëndohen apo vriten në luftë, gjëra që ndodhin vetëm me lejen dhe urtësinë e Zotit, ata thonë: “Zoti na privilegjoi, që nuk ishim atje në luftë bashkë me ta.” Për shkak të imanit të tyre të dobët, ata mendojnë se mosmarrja pjesë e tyre në xhihad, – në të cilin mund të pësohet edhe disfatë, – është një mirësi nga Zoti.

Ata nuk arrijnë ta kuptojnë se mirësia e vërtetë është pikërisht suksesi që të jep Zoti të marrësh pjesë në xhihad, në këtë adhurim kaq të madh, në të cilin kalitet imani i sinqertë dhe për shkak të të cilit njeriu sigurohet dhe shpëton njëherë e mirë nga ndëshkimi, dëshpërimi dhe humbja. Atij që i jepet shansi të marrë pjesë në një adhurim të tillë, me të vërtetë i është hapur një rrugë drejt shpërblimit të madh dhe kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, Bujarit, Dhuruesit të çdo mirësie.

Mosmarrja pjesë në xhihad, edhe pse mund t’i ofrojë njeriut një rehati të përkohshme, pas saj atë e pret një lodhje e gjatë, dhimbje të shumta e vuajtje të rënda dhe, veç këtyre, ai është i privuar nga ato mirësi që i janë premtuar vetëm luftëtarëve në rrugën e Zotit. Pastaj i Lartësuari thotë: