Select Page

– “Thuaj: “A të adhurojmë veç Allahut diçka që nuk na sjell as dobi, as dëm …” – Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij, por edhe besimtarët, që t’u drejtohen dhe t’i këshillojnë idhujtarët për fenë e drejtë, sepse ata adhurojnë dhe u luten zotave të tjerë. Në këto ajete, Allahu i Madhëruar bën një përshkrim të saktë të idhujve që ata adhurojnë.

Mjafton që robi të lexojë këtë përshkrim të idhujve, që të ndalet dhe të largohet prej adhurimit të tyre. Çdo i logjikshëm, nëse mendon me kujdes dhe arsyeton për besimin dhe rrugën e idhujtarëve, bindet plotësisht se ajo është një rrugë e sigurt drejt humbjes, para se të mësojë apo vështrojë argumente të tjera për këtë çështje.

Kështu, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që, për t’i bërë idhujtarët të mendojnë pak dhe me qetësi, t’u thotë: “A të adhurojmë veç Allahut diçka që nuk na sjell as dobi e as dëm?!” Ky përshkrim është për çdo gjë që adhurohet veç Allahut. Çdo gjë që adhurohet veç Allahut nuk mund të sjellë dëm apo dobi dhe nuk ka mundësi për asgjë. Çdo çështje është vetëm në dorën e Allahut.

– “… dhe të bëjmë prapa, pasi Allahu na udhëzoi?!” – A të kthehemi në devijim e humbje, pasi Allahu i Lartësuar na udhëzoi? A të braktisim rrugën e drejtë e të përqafojmë gënjeshtrën? A të largohemi nga rruga që të çon në Xhenetin e mirësive, për të hyrë në rrugën që të çon në ndëshkimin e dhembshëm? Këtë zgjedhje nuk e bën kurrë një njeri i urtë, i mençur e i logjikshëm, që di të dallojë të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja. Për atë që bën një përzgjedhje të tillë, Zoti thotë:

– “Atëherë do të bëheshim si ai, të cilin shejtanët e kanë humbur në tokë, duke e lënë të hutuar.” – Si ai që shejtanët e devijojnë nga rruga e drejtë e pikësynimi i tij. Kështu, ai mbetet në mes të rrugëve, i çoroditur e i hallakatur.

“Ai ka shokë, që e thërrasin në rrugë të drejtë: “Eja te ne!” – Ndërsa shejtanët e ftojnë atë në humbje, shokët e mirë e thërrasin në rrugën e drejtë, por ai nuk përgjigjet. Kështu, ai mbetet e sorollatet mes dy ftesave, i çoroditur e në mëdyshje. Kjo, në fakt, është gjendja e të gjithë njerëzve, përveç atyre që Allahu i Urtë dhe Mëshirëplotë i ruan dhe i mbron. Njerëzit tërhiqen njëkohësisht nga dy kahe të kundërta.

Nga njëra anë, ata i tërheq Shpallja e Zotit, logjika e drejtë dhe natyra e pastër, me të cilën është pajisur çdo njeri. Nëse shkojnë në këtë drejtim, ata gjejnë udhën e drejtë të Zotit, për t’u ngritur në gradat e larta të ilijin-ëve 47.

Ndërsa nga krahu tjetër, ata i tërheq shejtani, me të gjithë ushtritë e mbështetësit e tij. Këta ftojnë për në humbje, për të rënë në ndëshkimin më të tmerrshëm. Ka njerëz që ndjekin udhën e drejtë në të gjitha çështjet ose në shumicën e tyre, ashtu sikurse ka të tjerë që bëjnë të kundërtën. Por ka edhe të tjerë që tërhiqen njëlloj nga të dyja kahet. Në këtë pikë fillon ndarja mes të lumturve dhe të dëshpëruarve.

– “Thuaj: “I vetmi udhëzim është udhëzimi i Allahut …” – Udhëzimi i drejtë është veçse udhëzimi i Allahut të Madhëruar, që e bëri ligj për njerëzit nëpërmjet profetëve të Tij. Ndërsa çdo rrugë tjetër është veçse shkatërrim, poshtërim e humbje.

– “… dhe ne jemi urdhëruar që t’i dorëzohemi vetëm Zotit të botëve.”! – Jemi urdhëruar që të nënshtrohemi e dorëzohemi plotësisht ndaj Allahut, duke e njësuar me adhurime e duke zbatuar me sinqeritet urdhrat e Tij. Jemi urdhëruar që të dorëzohemi e të bëhemi vullnetarisht besimtarë e adhurues të Zotit. Kjo është grada më e lartë dhe mirësia më e madhe, me të cilën Zoti ka begatuar robërit e Tij.

47  Ilijin-ët janë sikurse thotë Allahu i madhëruar: “Jo, nuk janë të njëjtë. Me të vërtetë, libri i vepërmirëve gjendet në Il-lijjin! E ku e di ti se çfarë është Il-lijjun-i? Ai është një libër i qëndisur, të cilin e dëshmojnë më të afruarit (e Zotit). “ [El mutaffifin 18 – 21]