– “(Kujto) Ditën kur Ne do t’i thërrasim të gjithë njerëzit, bashkë me prijësin e tyre.” – Allahu i Madhëruar na njofton për gjendjen e krijesave në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, Ai do të thërrasë dhe tubojë krijesat dhe me secilin grup do të jetë edhe udhëheqësi ose ftuesi i tyre për në rrugën e drejtë, pra, profeti dhe ata që kryejnë misionin e tyre, siç janë dijetarët.
Kështu do të tubohet çdo umet dhe, së bashku me të, Profeti i cili i ftoi në udhën e Zotit. Pastaj do të shihen veprat e popujve në krahasim me udhëzimin ku i ka ftuar Profeti i tyre, a janë në përputhje me të apo jo. Kështu ata do të ndahen në dy grupe:
– “Ata, që libri i tyre do t’u jepet nga e djathta, …” – Këta janë pasuesit e profetëve. Këta e gjetën dhe e pasuan udhëzimin e Shpalljes së Zotit, prandaj veprat e tyre të mira janë të shumta dhe të këqijat e tyre të pakta. Për këta Allahu i Madhëruar thotë:
– “… do ta lexojnë (me kënaqësi) librin e tyre dhe nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.” – Ata e lexojnë librin e veprave të tyre me gëzim e kënaqësi, sepse e tillë është përmbajtja e tij. Ata do ta marrin të plotë shpërblimin e veprave të mira dhe kurrë nuk do t’u bëhet padrejtësi, duke iu pakësuar ndonjë e mirë që kanë bërë.