Pasi tha se munafikët janë miq të njëri-tjetrit, Allahu i Madhëruar na thotë se edhe besimtarët janë miq të njëri-tjetrit, por besimtarët përshkruhen me të tjera cilësi:
– “Besimtarët dhe besimtaret janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit; …” – Si meshkujt, edhe femrat besimtare, janë miq të njëri-tjetrit. Ata e duan njëri-tjetrin. Ata i përkasin njëri-tjetrit dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Pjesë e detyrimeve të tyre të ndërsjellta është që ata:
– “… ata urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, falin rregullisht namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.” – ‘El Mearuf’ quhet besimi, veprat, fjalët e cilësitë e mira që Zoti i do dhe ka urdhëruar që të pajisemi me to. Besimtarët urdhërojnë njëri-tjetrin për ‘mearuf’ dhe, sigurisht, ata janë të parët që i kryejnë vetë ato. ‘El Munker’ quhet çdo besim, vepër, fjalë e cilësi e keqe që Zoti nuk e do dhe na ka ndaluar prej tyre.
Besimtarët ndalojnë njëri-tjetrin nga këto gjëra dhe janë vetë të parët që largohen prej tyre. Gjithashtu, të gjithë besimtarët i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, ata arrijnë të përqendrohen në rrugën e drejtë dhe e mbajnë njëri-tjetrin fort në të. Këtë e bëjnë vazhdimisht dhe kurrë nuk lëkunden, derisa të largohen nga kjo botë e të takojnë Zotin e tyre, duke qenë me besim të pastër, me vepra të mira e të sinqerta. Këta janë ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
– “Allahu do t’i mëshirojë ata.” – Këta do ti përfshijë i Madhëruari në mëshirën e Tij, që të siguron nga çdo e keqe, dhe do t’i mbulojë me bamirësinë e Tij, që të ofron çdo të mirë.
– “Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë.” – Allahu është i Plotfuqishmi, Krenari, Ngadhënjimtari, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Por, me gjithë pushtetin e Tij absolut, Ai është edhe i Urtë. Ai e vendos çdo gjë në vendin e vet që i takon. Ai meriton që të lavdërohet për gjithçka që ka krijuar dhe për çdo ligj që na ka caktuar. Më pas, Allahu i Madhëruar përmend shpërblimet e mëdha që ka përgatitur për të zgjedhurit e Tij: