Në këtë ajet shprehet urtësia që përmbante urdhri i Allahut për t’u distancuar nga idhujtarët. I Lartësuari thotë:
– “Si mund të kenë idhujtarët besëlidhje me Allahun dhe të Dërguarin e Tij?!” – Mos vallë e pranuan fenë, që Zoti ua bëri detyrë? Mos vallë i lanë të qetë Profetin e Zotit dhe besimtarët në zbatimin dhe përhapjen e fesë së Zotit?
Asgjë nga këto nuk bënë, madje përkundrazi, ata e luftonin me çdo mjet të vërtetën dhe përhapnin të kotën e shkatërrimin. Për këto arsye, ata e meritonin që Allahu i Madhëruar, Profeti i Tij dhe besimtarët të distancoheshin prej tyre. Ata nuk meritonin aspak t’u jepej siguri prej Allahut dhe Profetit të Tij. Përjashtim bënte veçse një kategori, për të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
– “Përjashtim bëjnë vetëm ata, me të cilët ju keni lidhur marrëveshje pranë Xhamisë së Shenjtë.” – Duke qenë se pakti me ta u nënshkrua në një vend të bekuar, ai duhej që të respektohej. I Madhëruari thotë:
– “Përderisa ata u përmbahen marrëveshjeve, përmbajuni edhe ju! Allahu i do të devotshmit.” – Kjo ka disa kushte, që nëse ata i shkelin, atëherë nuk ka më vlerë pakti me ta.