– “Nëse ju mohoni (besimin e vërtetë), Allahu nuk ka asnjë nevojë për ju.“ – Atë nuk e dëmton aspak mohimi juaj, ashtu siç nuk i sjell ndonjë dobi bindja dhe adhurimet tuaja. Urdhëresat dhe ndalesat që ka ligjëruar për ju janë thjesht mirësi dhe bujari e Tij, që jua ka dhuruar për të mirën dhe dobinë tuaj.
– “Atij nuk i pëlqen që robërit e Tij të mohojnë (besimin).“ – Sepse mirësia e Tij mbi ju është e madhe dhe e plotë. Ai nuk kënaqet që ju ta mohoni, sepse e di mirë se çfarë fatkeqësie e madhe është diçka e tillë. Nëse ju zgjidhni mohimin, kjo do të sjellë dëshpërimin dhe vuajtjen tuaj të përhershme, pas së cilës nuk keni për të gjetur lumturi e kënaqësi. Ai nuk kënaqet që ju të mohoni, sepse ju krijoi që ju ta adhuroni Atë. Ky është qëllimi pse i krijoi krijesat dhe Ai nuk kënaqet që ata ta braktisin qëllimin për hir të të cilit i krijoi.
– “Nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, kjo është ajo që Ai e pëlqen për ju.“ – Kjo është ajo që Ai e dëshiron prej jush. Ai e dëshiron që t’i shprehni mirënjohjen duke e njësuar me teuhid dhe duke iu përkushtuar me sinqeritet, për të zbatuar Ligjin e Tij dhe për ta adhuruar Atë sipas fesë që dëshiron për ne. Ai dëshiron këtë për ju, sepse Ai ju mëshiron dhe ju do. Nga mëshira, dashuria dhe bamirësia e Tij, Ai dëshiron që ju ta falënderoni dhe të tregoheni mirënjohës ndaj Tij. Kjo është ajo për të cilën edhe ju krijoi. Mos harroni edhe një fakt të rëndësishëm: Çdokush do të merret në llogari veçse për punët e veta, të mira apo të këqija:
– “Dhe askush nuk do të bartë barrën e tjetrit.“ – Ajo që ju sjell dobi është besimi juaj dhe punët e mira.
– “Në fund, vetëm te Zoti juaj do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e gjithçkaje që keni bërë (në këtë jetë).“ – Kjo do të ndodhë në Ditën e Gjykimit dhe ky është një lajm i vërtetë, i sigurt, i sjellë nga Zoti, me diturinë e Tij që ka përfshirë gjithçka, dituri të cilën e shkroi lapsi i Tij. Ato punë janë ruajtur në Librin e Tij, ku i kanë shënuar melekët e Tij të nderuar, por do të dëshmohen edhe nga gjymtyrët tuaja. Kështu, secili nga ju do të marrë atë që e meriton.
– “Ai e di mirë gjithçka që fshihet në zemrat e robërve.“ – Ai di gjithçka që fshihet brenda gjokseve, e mirë ose e ligë, dhe do t’ju shpërblejë të gjithëve me drejtësinë e Tij të plotë, pa i bërë padrejtësi askujt.