Select Page

– “Ndërsa ata që kërkojnë më tepër – ata janë të shfrenuarit.” – Çdokush që kërkon të kënaqet me rrugë tjetër, – veç marrëdhënieve dhe kënaqësisë me gruan ose me robëreshat, – Allahu i Madhëruar e quan ‘el âdûn’, pra, njeri që e ka kaluar kufirin e caktuar nga Zoti. Të tillët si ai i kanë shkelur kufijtë e Zotit. Nga kuadri i përgjithshëm i këtij ajeti kuptojmë se martesa e ashtuquajtur ‘el mut’atu’ (me kontratë e kohë të përcaktuar) është haram.

Kjo është një martesë e përkohshme me kontratë, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja e saj. Për shembull, palët bien dakord që të martohen për dy ditë dhe pastaj të ndahen. Kjo është një martesë dhe marrëdhënie e parregullt dhe e ndaluar, sepse, në këtë rast, gruaja nuk është bashkëshorte e plotë dhe e vërtetë dhe as robinjë dhe, si e tillë, janë haram marrëdhëniet me të. Po ashtu, është e ndaluar edhe martesa e ashtuquajtur “Nikahul muhal-lil133.

Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: “…ose me robëreshat që kanë në zotërim…”. Pra, që të lejohen marrëdhëniet me një skllave, ajo duhet të jetë pronë tërësisht e një burri dhe jo e ndarë mes atij dhe burrave të tjerë. Nëse një skllave është në pronësinë e dy zotërinjve, nuk lejohet që të kryhen marrëdhënie me të. Pra ashtu sikur nuk lejohet që një grua e lirë të ndahet mes dy burrave, ashtu edhe një robëreshë nuk lejohet të ndahet mes dy padronëve. Ajo duhet të jetë tërësisht nën pronën e njërit. 134 Cilësia e tyre e gjashtë është:

133 Burrit i lejohet ta divorcojë dhe ta kthejë gruan e tij dy here. Por për herën e tretë, Allahu i lartësuar thotë: “E nëse ai (burri) e ndan atë (për herë të tretë), pas kësaj atij nuk i lejohet më ta rimarrë, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër.” – Pra, pas ndarjes së tretë, burrit nuk i lejohet më që ta kthejë gruan e tij, derisa të plotësojë disa kushte, si më poshtë: Së pari, ajo duhet të martohet me një burrë tjetër. Fjala “nikâĥ” (martesë), në Sheriat, nënkupton martesën e plotë, me të gjitha kushtet e saj, përfshirë edhe marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve.

Ky është një gjykim të cilin nuk e kundërshton askush. Pra, është kusht që gruaja të lidhet në martesë me një burrë tjetër, me një akt të rregullt procedurial, pas të cilit duhet të kryhen marrëdhënie intime mes bashkëshortëve. Së dyti, martesa e gruas me një burrë tjetër duhet të jetë me dëshirë dhe jo me qëllimin që ajo të mund të kthehet te burri i parë.

Nëse martesa e dytë kryhet formalisht, sa për të bërë të mundur rikthimin te burri i parë, atëherë ajo është e pavlefshme dhe e paligjshme si martesë. Pikërisht kjo lloj martese quhet “Nikahul muhal-lil“. Por nëse kjo martesë bëhet me dëshirë dhe mes çiftit kryhen marrëdhënie seksuale dhe pastaj divorcohen, vetëm atëherë i lejohet gruas që të rikthehet tek burri i parë, nëse e ndan burri i dytë. [Shih tefsirin e sures Bekare, ajeti 230].

134 Këtu bëhet fjalë për rregullim dhe disiplinim të trajtimit skllaveve dhe robinjave në kohën kur ato ekzistonin. Sigurisht që Islami nxiti dhe gjithmonë ka inkurajuar për lirimin e robërve dhe skllevërve dhe rregullimin e jetës së tyre. Por në kohën kur pas luftrave mbeteshin shumë robëresha, ato duheshin sistemuar e shpërndarë, në mënyrë që të ruhej shoqëria nga shthurja dhe imoraliteti. Kjo bëhej e mundur duke plotësuar nevojat e këtyre grave robëresha, ose duke i martuar ato, ose duke e kufizuar plotësimin e nevojave të tyre me zotërinjtë e tyre, deri në lirimin e plotë nga robëria. (sh. p)