Select Page

– “Edhe Tokën e kemi shtrirë dhe kemi vendosur në të male përforcuese.” – Vështroni Tokën, se si Allahu i Lartësuar e shtriu dhe e bëri të qëndrueshme për banorët e saj. Ai e rregulloi atë, në mënyrë që çdo krijesë të mund të jetojë dhe t’i plotësojë nevojat e veta në të. Allahu i Lartësuar vendosi në Tokë malet, që shërbejnë si përforcuese të saj, që ajo të mos ishte e lëkundshme dhe e pabanueshme.

– “Ne kemi bërë që në të të mbijnë larmi bimësh të bukura.” – Përveç qëndrueshmërisë, Allahu i Lartësuar e pajisi Tokën me gjithçka të nevojshme për zhvillimin e bimësisë, me të gjithë larmishmërinë dhe hijeshinë e saj. Kush vështron këtë bimësi, gjen kënaqësi dhe çlodhje, ai që mediton rreth tyre, habitet dhe mrekullohet, ai që pret prodhimin e tyre, qetësohet dhe gëzohet. Allahu i Lartësuar e solli këtë mirësi si ushqim për bijtë e Ademit dhe për kafshët e tyre.