Select Page

    Allahu i Lartësuar e njofton Profetin e Tij për armiqësinë e ashpër të qafirëve ndaj së vërtetës. Shkaku i mosbesimit të tyre nuk është ndonjë mangësi në Shpalljen e Zotit dhe as padituria e tyre rreth saj. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Shkaku i vërtetë i mosbesimit dhe i armiqësisë së tyre ndaj të vërtetës është padrejtësia që kanë në zemër dhe shfrenimi në gjynahe. Kështu, thotë i Madhëruari:

– “Edhe sikur të të zbrisnim një libër të shkruar në letër, e ata ta preknin atë me duart e tyre, mohuesit sërish do të thoshin: “Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një magji e qartë.”. – Edhe sikur t’u vinte kjo mrekulli kaq haptas, ata që kanë zgjedhur mohimin do të thonë përsëri: “Kjo është veçse një magji e qartë.” A mund të ketë shenjë më të madhe se kjo dhe a ka fjalë më të shëmtuar sesa t’i thuash të vërtetës magji?! Kjo është arrogancë e shfrenuar kundrejt të vërtetës së pakundërshtueshme, të cilën askush që ka sadopak logjikë nuk mund ta refuzojë.