Select Page

Edhe nëse ti e ngre zërin (në lutjet e tua), Ai e di të fshehtën dhe atë që është më e fshehtë (se e fshehta). Allahu është i Gjithëditur dhe nuk ka ndonjë gjë që të jetë e paditur apo e fshehur nga dituria e Tij. Ai di fjalët e fshehta dhe ato që janë më të fshehta se fjalët e fshehta, pra, ato që fshihen në zemër dhe ende nuk janë artikuluar me fjalë. Allahu i di edhe ato ndjenja të fshehta që i kalojnë njeriut në zemër. Ndërsa el ahfa janë ato gjëra që ende nuk i kanë kaluar në zemër njeriut.

Kështu, i Lartësuari i di të gjitha ato që i kalojnë në zemër njeriut, madje me hollësitë më të imta. Dituria e Zotit i përfshin të gjitha, të imtat e të mëdhatë, të fshehtat e të shfaqurat. Për Atë është njëlloj, e shfaq apo e mban fshehur atë që ke në zemër. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar shpalosi madhështinë e Tij absolute dhe faktin se Ai është i Plotë e Absolut në çdo atribut të Tij. Allahu është Krijuesi i gjithçkaje, është caktuesi i ligjeve të krijimit dhe ligjeve të jetës, fesë e adhurimit. Ai urdhëron dhe ndalon.

Ai është Er-rahmani, që ka përfshirë gjithçka me mëshirën dhe kujdesin e Tij. Allahu është Gjithëpërfshirësi me madhështinë e Tij. Ai është i Lartësuari mbi Fronin e Tij dhe ka nën sundimin e mbretërimin e Tij gjithçka. Asgjë nuk i fshihet diturisë së Allahut. Pas këtij prezantimi, Allahu është i vetmi që meriton të gjitha adhurimet, përkushtimet, lutjet e dedikimet. Adhurimi i Tij si Një dhe i Vetëm është diçka që e urdhëron ligji i Tij, logjika e shëndoshë, si dhe natyra e pastër dhe e papërlyer. Ndërsa adhurimi i diçkaje tjetër veç Tij është e kotë në çdo këndvështrim.