– ”Dhe (kujto) Kur Ne morëm prej profetëve një premtim (solemn), siç morëm prej teje, prej Nuhut, Ibrahimit, Musait dhe Isait, birit të Merjemes. Ne morëm prej tyre një besë solemne.” – Allahu i Madhëruar na njofton për një besë të fortë që ka marrë prej profetëve në përgjithësi, dhe prej këtyre 5 më të përzgjedhurve, në veçanti. Ai mori premtimin për të përmbushur tërësisht detyrat e fesë së Tij dhe për t’u përpjekur fort për lartësimin e fjalës së Tij. Kjo është rruga nëpër të cilën ecën të gjithë profetët e shkuar derisa u mbyll vargu i tyre me dërgimin e Muhamedit (a.s), që është më i miri i tyre dhe zotëria i të gjithë të dërguarve. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit që t’i marrin si shembull këta profetë dhe të pasojnë rrugën dhe udhëzimin e tyre.