Select Page

– “Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë ta trashëgoni …” – Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij që të besojnë Atë, Profetin e Tij, Shpalljen e Tij, si dhe të shpenzojnë në rrugën e Tij prej pasurisë që po Allahu e vendosi në duart e tyre dhe i bëri kujdestarë të saj, për të parë se si do të veprojnë. Më pas, duke përmendur shpërblimin e madh që i pret, Ai i nxit më shumë, nëse e bëjnë një gjë të tillë:

– “Për ata që besojnë dhe shpenzojnë për hir të Zotit, ka shpërblim të madh.” – Ata që bëjnë këto vepra të mrekullueshme do të kenë shpërblim të madh. Përveç besimit të pastër në Allahun, Profetin dhe në Shpalljen e Tij, ata shpenzojnë pasuri në rrugën e Allahut. Këto vepra do t’u mundësojnë atyre shpërblimin më të madh dhe më të mrekullueshëm. Ata fitojnë kënaqësinë e Zotit dhe nderimin në vendin e mirësisë së përjetshme, në Xhenet. Këto janë mirësitë që Zoti ka përgatitur për besimtarët dhe ata që luftojnë në rrugën e Tij.