Select Page

Mohuesit kërkojnë që t’u japësh disa shenja ose mrekulli, sipas dëshirave të tyre, duke thënë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë Shenjë nga Zoti i tij?” Dhe me këtë ata nënkuptonin ato shenja dhe mrekulli që ata dëshironin dhe ia kërkonin Profetit a.s. Në fakt, ky qe thjesht pretekst për të arsyetuar mosbesimin dhe kundërshtimin e tyre, sepse ata e dinin shumë mirë që Profeti (a.s)ishte thjesht qortues, paralajmërues dhe përcjellës besnik i mesazhit të Zotit dhe, si i tillë, nuk kishte asnjë çështje në dorë.

Është vetëm Allahu i Lartësuar Ai që përcakton dhe vendos për shenjat dhe mrekullitë, me të cilat Ai mbështet profetët e Tij. Ata i dinin shumë mirë këto çështje, por fjalët e tyre ishin veç justifikime, për të arsyetuar mosbesimin që kishin ndaj Profetit. Në fakt, Allahu i Lartësuar i dhuroi edhe Muhamedit (a.s)argumente të qarta, fakte të pamohueshme dhe mrekulli të shumta, të cilat i kuptonte çdokush që kishte sadopak logjikë të shëndoshë. Përmes tyre e gjen rrugën e drejtë ai që e dëshiron të vërtetën. Ndërsa mohuesit, të cilët janë të zhytur në errësirën e injorancës, të padrejtësisë dhe të shthurjes, nuk pranojnë të ndjekin rrugën e Profetit, prandaj bëjnë të tilla propozime.

Kërkesat e tyre janë të kota, mashtrime, syfaqësi dhe justifikime për të mos u nënshtruar dhe për të mos besuar Profetin e Zotit. Diçka është e sigurt: edhe sikur atyre t’u jepeshin të gjitha shenjat dhe mrekullitë që ata kërkonin, ata përsëri nuk do të besonin dhe nuk do të nënshtroheshin për të jetuar dhe adhuruar Zotin sipas mësimeve të Profetit. Në të vërtetë  ata nuk i pengonte fakti se nuk kishin se kush t’ua qartësonte të vërtetat e Zotit, pasi ato iu sqaruan në formë të përkryer dhe bindëse. Ata thjesht ndiqnin dëshirat e veta dhe nuk denjonin që të nënshtroheshin dhe të adhuronin Allahun e Madhëruar.

– “Çdo popull ka pasur udhërrëfyes.“ – Çdo popull ka patur udhërrëfyesin e vet, që do të thotë se, në çdo popull, Allahu i Lartësuar ka zgjedhur njerëz, të cilët ftonin në udhën e drejtë dhe të pastër të Tij. Ata që Allahu i Lartësuar i ka përzgjedhur për të ftuar njerëzit në rrugën e drejtë kanë qenë profetët dhe pasuesit e profetëve. Sigurisht, që Allahu i Lartësuar këta ftues në rrugën e drejtë i ka mbështetur gjithmonë me argumente dhe fakte të qarta, që tregojnë për vërtetësinë e Shpalljes, të cilën ata e përhapin ndër njerëz, dhe vërtetësinë e atyre vetë si përçues. Allahu i Lartësuar i ka pajisur me argumente të shumta, të cilat shërbejnë si mbështetje për udhëzimin e qartë, në të cilin ata ftojnë njerëzit.