Select Page

– ”Pastaj, nga secili grup do të kapim më të pabindurit ndaj të Gjithëmëshirshmit.” – Nga çdo grup keqbërësish që kanë bashkëpunuar në padrejtësi e ligësi, në mohim e poshtërsi, do të zgjidhen ata më të këqijtë, më arrogantët dhe më të padrejtët, të cilët do të futen të parët në ndëshkimin e dhembshëm. Të parët që do të hyjnë në Xhehenem do të jenë më të ngarkuarit me gjynahe e poshtërsi. Ata nuk do të reshtin së bërtituri e duke mallkuar njëri-tjetrin, siç thotë i Madhëruari: në një ajet tjetër: “Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush – xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin.

Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.” Pastaj i pari do t’i thotë të fundit: “Ju nuk jeni më të mirë se ne; prandaj shijojeni dënimin, për gjithçka që bëtë!”[El ea’raf 38, 39]. E gjitha kjo do të ndodhë me drejtësinë, urtësinë dhe diturinë absolute të Allahut.