– ”Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë dhe ajo as nuk është për të.” – Allahu i Lartësuar dëshmon pastërtinë e figurës së Profetit të Tij nga shpifjet që trillonin për të idhujtarët, se ai na qenkësh një poet dhe se ajo që solli ishte thjesht një poezi. Ai thotë: “…Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë dhe ajo as nuk është për të.”
Nuk i takon një të përzgjedhuri që të jetë poet. Është e pamundur që ai të jetë poet, sepse është i udhëzuar dhe i drejtuar nga Zoti, ndërsa poetët kryesisht janë të çoroditur dhe të devijuar, që pasohen veçse nga të humburit dhe të mashtruarit. Allahu i Madhëruar i ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet dhe trillimet e mohuesve për të Dërguarin e Tij. Profeti nuk dinte shkrim e lexim dhe Allahu nuk i pati mësuar atij poezinë, pasi kjo është diçka që nuk i shkonte figurës së këtij Profeti madhështor.
– ”Ky (Libër) është veçse një Mesazh …” –Shpallja që Profeti (a.s.) solli nga Zoti është veçse një kujtim e këshillë për të urtët dhe të mençurit, që ata të zbulojnë mesazhet e Zotit dhe synimet e larta të Tij. Kur’ani përmban të gjitha porositë dhe synimet e larta në formën më të plotë. Ai ka një forcë këshilluese e kujtuese shumë të fortë. Ai bën të mundur që natyrat e pastra të kuptojnë çdo urdhër që është i mirë dhe i bukur dhe se çdo gjë e ndaluar është e ligë dhe e dënueshme. Kur’ani i nxjerr në pah dhe vë në provë natyrat e pastra, që të kuptojnë të mirën dhe t’i largohen të keqes.
”… dhe një Kur’an i qartë.” – Ai është qartësuesi i gjithçkaje që ka nevojë të qartësohet. Allahu i Madhëruar nuk përcakton se për çfarë çështjesh është qartësues, që të kuptohet se Kur’ani është qartësues për gjithçka dhe për të gjithë të vërtetën. Këtë e bën nëpërmjet argumenteve të përgjithshme dhe ato specifike. Kur’ani bën të qartë, gjithashtu, edhe të kotën dhe na sjell argumentet e kotësisë së saj. Por Allahu e shpalli këtë libër edhe për një qëllim tjetër: