– ”Kjo na është premtuar neve dhe prindërve tanë para nesh.” – Ringjallja na është thënë si neve, ashtu edhe etërve tanë të parë të hershëm, por asgjë nuk ka ndodhur. Prandaj ne themi se:
– ”Por këto nuk janë gjë tjetër veçse përralla të të parëve.” – Janë thjesht histori e legjenda, që tregohen sa për të kaluar kohën dhe për argëtim dhe nuk ka asgjë të vërtetë në to. Vërej me kujdes! Fillimisht, Allahu na tregoi gjendjen e atyre që refuzojnë besimin dhe shpalljet, pastaj rreth faktit se ata nuk e dinë kohën kur do të ndodhë Dita e Gjykimit, pastaj rreth dobësisë së kësaj diturie në zemrat e tyre, pastaj rreth dyshimit që ka zënë vend në ato zemra, pastaj rreth verbërisë së atyre zemrave.
Ndërsa në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se ata e mohojnë kategorikisht se kjo do të ndodhë dhe e konsiderojnë si diçka të largët për t’u besuar e ndodhur. Të gjitha këto na tregojnë gjendjen e tyre të pashpresë dhe bindjet që kanë zemër. Pikërisht për këtë shkak, frika për ahiretin largohet nga ato zemra dhe ata harrohen tërësisht në poshtërsitë ndaj Zotit.
Të tillë njerëzve u duket i thjeshtë refuzimi i të vërtetës dhe pranimi i të kotës. Ata i lejojnë vetes çdo lloj poshtërsie e përmbushje të epsheve dhe braktisin çdo adhurim me të cilin Zoti i ka ngarkuar, prandaj humbin dynjanë dhe ahiretin e tyre. Në vijim, Allahu i Lartësuar u kujton atyre që të mendojnë rreth ngjarjeve të profetëve dhe fakteve që shohin në dynja dhe që vërtetojnë fjalët e tyre. Ai thotë: