– “Ata hynë atje ashtu siç i pati porositur i ati. Por, kjo nuk ishte diçka që do të mund t’i ndihmonte nga caktimi i Allahut. Ajo ishte veçse një dëshirë e Jakubit në veten e tij, të cilën e tha.” – Vëllezërit e zbatuan porosinë e të atit, por, pa dyshim, ky veprim nuk do t’u sillte ndonjë gjë jashtë kaderit të Zotit të Lartësuar. Ajo ishte një dëshirë e Jakubit (a.s), i cili vërtet ishte i dhembshur me fëmijët e tij.
Kështu atij do t’i qetësohej disi zemra prej ndonjë rreziku të mundshëm. Sigurisht, kjo porosi nuk vinte nga ndonjë mangësi në diturinë e Jakubit (a.s), sepse ai ishte profet i nderuar, shumë i ditur dhe i mençur, siç thotë Allahu i Lartësuar:
– “Ai i dinte mirë ato që Ne i kishim mësuar,…” – Jakubi zotëronte dituri të madhe, që Ne – thotë Allahu i Lartësuar – ia kishim mësuar, pa forcën apo aftësitë e tij për ta arritur. Ajo i erdhi vetëm si dhuratë, mirësi dhe bujari nga Allahu i Lartësuar.
– “…ndërsa shumica e njerëzve nuk i dinë.” – Shumica e njerëzve nuk e dinë përfundimin e çështjeve dhe hollësitë e tyre. Po kështu ndodh edhe me shumë dijetarë. Ndonjëherë atyre u mungon dija e plotë rreth ligjeve dhe dispozitave të Zotit të Lartësuar. Shpesh, padituria e njerëzve është shumë e madhe. Madje, ajo çfarë njerëzit nuk e dinë është shumë herë më e madhe sesa ajo që ata e dinë dhe që Allahu i Lartësuar ua ka mundësuar ta mësojnë.