– “Është Allahu Ai që ju ka krijuar fillimisht prej dheu …” – Kështu e filloi i Madhëruari krijimin e njeriut të parë, Ademin (a.s.), prej brinjës së të cilit krijoi gruan e parë.
– “… pastaj prej një pikë fare e pastaj, prej gjaku të ngjizur.” – Kështu ndodh më pas me krijimin e të gjithë llojit njerëzor. Është përmendur fillimi i krijimit të njeriut, për të nënkuptuar pastaj të gjitha fazat e tjera të zhvillimit të tij në barkun e nënës: si gjak i ngjizur, si kafshatë e përtypur, si skelet kockor, me skelet dhe mish, për të përfunduar me fryrjen e shpirtit.
– “Pastaj, Ai ju bën të lindni si foshnjë, e më pas (ju bën të rriteni e) të arrini pjekurinë e pastaj të plakeni, …” – Kuptimi: Kështu, ju kaloni fazë pas faze nëpër krijimin hyjnor, deri sa të arrini moshën e pjekurisë dhe të përgjegjësisë ligjore, kur plotësoheni me trupin dhe mendjen tuaj, me fuqitë e jashtme dhe të brendshme.
– “… ndërsa disa prej jush vdesin më herët. Ai bën që të gjithë të plotësoni afatin e përcaktuar …” – Disa njerëz vdesin ende pa arritur moshën e pjekurisë, ndërsa të tjerë e arrijnë atë. Sidoqoftë, të gjithë do ta plotësojnë afatin e tyre të përcaktuar nga i Urti e i Gjithëpushtetshmi. Kur të plotësojnë moshën ose kohën e jetës të dhuruar nga Zoti, të gjithë do të ktheheni tek Ai.
– “… dhe që të arrini të kuptoni.” – Kuptimi: Duke medituar rreth fazave nëpër të cilat kaloni, do ta kuptoni se Allahu që e bëri këtë me ju është i Plotfuqishëm të bëjë gjithçka dhe, si i tillë, vetëm Atij i takon adhurimi me bindje e nënshtrim, dashuri e madhërim. Madje, do të kuptoni gjithashtu se ju jeni të mangët në çdo aspekt.