Select Page

– “A nuk sheh se Allahu e ka nënshtruar çdo gjë që gjendet në tokë për të mirën tuaj – A nuk i sheh me sytë dhe zemrën tënde ato mirësi të shumta të Zotit tënd? A nuk e sheh ndihmën dhe dhuratat e Tij të panumërta? Shiko se si Allahu nënshtroi çdo gjë që gjendet në tokë, për të mirën tuaj. Mirësitë e Zotit në tokë janë të shumta: kafshët, bimët, sendet etj., gjithçka që u bë në këtë tokë është në shërbim të njerëzve.

Nga kafshët ata përfitojnë shërbimin e transportit, punë të ndryshme, ushqim etj. Frutat dhe bimësinë i magazinojnë dhe i përdorin si ushqim për vete dhe për kafshët e tyre. Allahu ua mësoi dhe ua mundësoi që t’i mbjellin e t’i kultivojnë bimët dhe t’i shfrytëzojnë me të gjitha mënyrat. Nga toka ata nxjerrin edhe mineralet, që kanë fitim të jashtëzakonshëm. Po kështu, Allahu ju mundësoi të përfitoni nga anijet, që lundrojnë:

– “dhe se anijet lundrojnë në det me urdhrin e Tij?” – Anijet ju mbajnë ju dhe mallrat tuaja të shumta. Ju udhëtoni me to në vende të largëta, për të bërë tregti e për qëllime të tjera. Po kështu, ju nxirrni nga deti smeralde e perla, për të bërë stoli. Nga mëshira e Tij e madhe Ai:

– “Ai e mban qiellin të mos bjerë në Tokë, veç nëse dëshiron Ai.” – Sikur të mos ishte mëshira dhe pushteti absolut i Zotit, qielli do të rrëzohej në tokë dhe do të shkatërronte gjithçka të saj, duke vdekur, gjithashtu, çdo gjallesë, siç thotë i Madhëruari: “Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos bien, pasi nëse bien, nuk ka kush tjetër që mund t’i mbajë. Ai është i Dashur dhe Falës i madh.” [Fatir 41].

– “Sepse Allahu është i Butë e Mëshirëplotë me njerëzit.” – Allahu është më i mëshirshëm me ta sesa vetë prindërit e tyre, madje edhe se ata vetë për veten e tyre. Ai dëshiron të mirën për ta, edhe pse ata duan të keqen. Nga mëshira e Tij, Ai u mundëson shumë e shumë gjëra të dobishme.