– “Ne i kemi dërguar profetët që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre.” – Ky kumt i Allahut të Lartësuar përmban në vetvete edhe porosinë për bindje ndaj Profetit të Zotit dhe pranim e zbatim të mësimeve të tij. Qëllimi i dërgimit të një profeti është që njerëzit t’i binden duke zbatuar porositë e Zotit. Njerëzit duhet të zbatojnë çdo urdhër të tijin, t’i largohen çdo ndalese të deklaruar nga ai, të jenë respektues dhe ta ndihmojnë rrugën e tij. Ky ajet tregon se profetët kanë qenë të ruajtur, prandaj kurrë nuk mund të gabonin në lidhje me Shpalljen hyjnore dhe përcjelljen e plotë dhe të saktë të saj,
Ata kurrë nuk mund të gabonin me urdhrat dhe ndalesat e përcjella, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’u bindemi atyre. Nëse ata nuk do të ishin të ruajtur nga këto gabime dhe nëse do të kishte mundësi që ata të urdhëronin diçka të gabuar, atëherë Allahu i Lartësuar nuk do të na urdhëronte për t’iu bindur atyre. Për sa i përket shprehjes: “me lejen e Allahut”, ajo dëshmon se çdo gjë ndodh me gjykimin dhe caktimin e Allahut.
Ata që iu bindën profetëve, iu bindën sepse kështu qe gjykimi dhe caktimi i Allahut. Ky ajet është gjithashtu një nxitje për të kërkuar gjithmonë ndihmën e Allahut, që të na bëjë të bindur ndaj Profetit dhe pasues të rrugës së tij. Vetëm nëse Allahu të ndihmon, mund t’i bindesh Profetit dhe të pasosh rrugën e drejtë. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për bujarinë, mirësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj atyre që kanë bërë gjynahe, nëse ata pendohen dhe nëse i kërkojnë falje Atij. Ai thotë:
– “E sikur ata (hipokritët), pas padrejtësive që i bënë vetes së tyre, të vinin tek ti (o Muhamed) e t’i kërkonin falje Allahut, dhe i Dërguari të kërkonte falje (tek Allahu) për ta, ata do ta njihnin Allahun si Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë.” – Pra, nëse ata i pranojnë gjynahet e tyre dhe u vjen keq për to, dhe pastaj i kërkojnë falje Allahut të Lartësuar, Ai do t’ua pranojë pendimin, duke ua falur dhe mbuluar gabimet.
Kështu, Ai i mëshiron fillimisht me suksesin që u jep për t’u penduar dhe, së dyti, duke ua pranuar pendimin dhe duke iu dhuruar shpërblim. Ndërsa për sa i përket vajtjes te Profeti (a.s.), që ai t’i kërkojë falje Allahut të Lartësuar për gjynahet e tua, kjo ishte e lejueshme atëherë kur ai ishte në këtë dynja. Këtë e tregon qartë konteksti i ajetit.
Pra, të shkosh e t’i kërkosh Profetit (a.s.) që ai t’i lutet Allahut për faljen e gjynaheve të tua është një veprim që mund të mendohej veçse gjatë kohës kur Profeti (a.s.) ishte gjallë, sepse tani që ai nuk është më në këtë botë nuk lejohet të kërkosh asgjë prej tij. Madje, ky veprim është një formë shirk-u, pasi ti i je lutur dikujt tjetër veç Allahut.