– “Përse, vallë, paria e tyre fetare (rabinët) nuk i ndal ata nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit?!” – Përse dijetarët, edukatorët dhe kleri nuk i ndalin ata nga krimet dhe gjynahet? Përse nuk i ndalin nga fjalët e këqija dhe ngrënia e pasurisë haram? Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të ndihmojnë njerëzit me dijen që Ai u ka dhuruar, duke i udhëzuar tek e mira dhe duke i ndaluar nga të këqijat.
Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të largojnë prej njerëzve paditurinë, në mënyrë që askush të mos ketë më justifikim para Tij. Ata duhet të urdhërojnë për të mira, të ndalojnë nga të këqijat dhe t’u qartësojnë njerëzve porositë e Zotit të tyre. Ata duhet t’i nxisin njerëzit për të mirën dhe t’i qortojnë e paralajmërojnë që të mos u afrohen harameve.
– “Sa i keq është qëndrimi i tyre!” – Arsyeja është se ata nuk e kryejnë detyrën që iu është ngarkuar.