Select Page

Mos iu drejtoni të Dërguarit, sikurse i drejtoheni njëri-tjetrit!“ – Mos e konsideroni komunikimin mes jush dhe Profetit të Zotit si komunikimin tuaj mes njëri-tjetrit. Kur Profeti komunikon me ju dhe ju thërret për diçka, ju e keni detyrë që t’i përgjigjeni. Madje, edhe nëse jeni duke falur namaz, është detyrë që t’i përgjigjeni Profetit kur ju thërret. Fjala e tij është detyrë që të pranohet dhe të zbatohet. Nuk ekziston asnjë njeri tjetër, urdhrat e të cilit të jenë detyrueshme të zbatohen, përveç Profetit të Zotit, sepse vetëm ai është i ruajtur nga gabimet që kanë lidhje me ligjin e Zotit dhe sepse ne jemi urdhëruar që ta pasojmë atë.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton tek ajo që ju jep jetë dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se është Ai tek i cili ju do të tuboheni (të gjithë). ” [Enfal 24]. Ndërsa për çdo njeri tjetër, fjalët dhe urdhrat e tij pranohen ose refuzohen, në varësi të përputhshmërisë me udhëzimin e Profetit e diturinë e tij.

Gjithashtu, në lidhje me etikën tonë kur i drejtohemi Profetit (a.s), gjithashtu, jemi urdhëruar të jemi të kujdesshëm dhe të mos i drejtohemi atij siç kemi zakon t’i drejtohemi njëri-tjetrit. Pra, nuk lejohet p.sh. t’i themi “Muhamed!” kur i drejtohemi atij, ose “O Muhamed, i biri i Abdullahit!”, siç e kemi zakon të thërrasim dhe t’i drejtohemi njëri-tjetrit. Përkundrazi, duke e nderuar dhe respektuar e madhëruar figurën e Tij, duhet të themi: “O i Dërguari i Allahut!” ose “O Profeti i Zotit!”

Allahu i di ata që largohen tinëz.“ – Allahu i Lartësuar,  pasi lëvdoi ata besimtarë të mirë të cilët, kur janë në ndonjë kuvend me Profetin, nuk largohen derisa ai t’u japë leje, vijon të qortojë ata të cilët largohen pa leje, madje u jep një kërcënim të frikshëm: Edhe nëse ata fshihen nga sytë e njerëzve, kur ikin vjedhurazi, që të mos vihen re, kjo nuk i fshihet Allahut. Allahu i di mirë dhe sheh gjithçka dhe Ai do t’i shpërblejë ata me drejtësi. Allahu i kërcënon ata duke thënë:

Prandaj le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) sepse do t’i përfshijë ndonjë sprovë, ose do t’i godasë një dënim i dhembshëm.“ – Mendohu pak! Ky ishte një kërcënim që u drejtohej atyre që mbase largoheshin fshehtas për shkak të ndonjë punë të tyre, që edhe mund të ishin të justifikuar dhe Profeti mund t’u jepte leje, por ata përsëri largoheshin pa marrë leje, duke treguar në këtë mënyrë mosvlerësim të çështjeve të mëdha që duhen trajtuar. Mendo çfarë kërcënimi i pret ata që largohen dhe i lënë çështjet e rëndësishme pa asnjë shkak e arsye. Le të kenë frikë këta njerëz se: “…do t’i përfshijë ndonjë bela, ose do t’i godasë një dënim i dhembshëm.” Ata do t’i godasë shirku ose ndonjë ligësi e madhe, por mund t’i godasë edhe ndonjë dënim i dhembshëm.