Allahu i Madhëruar i qartëson profetit të Tij të dashur, Muhamedit (a.s), se ai nuk është i vetmi dhe as i pari profet që është kundërshtuar nga populli i vet. Ai thotë:
– “Betohem për Allahun! Ne dërguam para teje të dërguar ndër popuj të shumtë …” – Në të gjithë popujt e mëparshëm u dërguan profetë që t’i ftonin njerëzit në monoteizëm, në njësimin e Zotit në adhurim dhe për dorëzim dhe bindje të plotë ndaj Tij.
– “… por shejtani ua hijeshoi veprat e tyre (të këqija).“ – Prandaj ata i mohuan profetët, duke pretenduar se rruga e tyre ishte rruga më e mirë, që siguronte lumturinë dhe që i shpëtonte nga çdo e keqe. Ndërsa profetët – sipas tyre – sillnin destabilitet dhe prishje të rehatisë e lumturisë së tyre. Duke qenë se shejtani ua zbukuroi veprat që bënin, ai u shndërrua në aleat dhe në mikun e tyre të ngushtë në këtë botë. Kështu, ata iu bindën dhe e pasuan plotësisht. Ndërsa Allahu i Madhëruar thotë:
– “Prandaj sot (në Ditën e Kiametit) ai është miku i tyre dhe ata (të gjithë bashkë) do të kenë një dënim të dhembshëm.” – Në ahiret ata do të kenë dënim të dhembshëm, sepse ata i kthyen shpinën të Gjithëmëshirshmit. Ata u kënaqën dhe preferonin miqësinë dhe lidhjen me shejtanin e mallkuar, prandaj e merituan ndëshkimin poshtërues.