Select Page

Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin nëpër Tokë të qetë, … – Nënshtrimi ndaj Zotit është dy llojesh:

1. Nënshtrim ndaj rububijes së Tij. Këtë lloj nënshtrimi e kanë të gjitha krijesat, si muslimanët, ashtu edhe mohuesit, të mirët dhe të këqijtë. Pra, të gjithë janë rob dhe të nënshtruar ndaj Allahut, nën kujdesin dhe sundimin e Tij. Zoti thotë: “Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob.” [Merjem 93].

2. Nënshtrim ndaj uluhijes, pra, të qenurit rob dhe i nënshtruar për të adhuruar Zotin dhe për të kërkuar mëshirën e Tij. Ky lloj nenshtrimi dhe adhurimi është nënshtrimi i profetëve dhe evlijave të Zotit. Është pikërisht ky lloj nënshtrimi dhe përunjësie që përmendet në këto ajete. Allahu i Madhëruar i quan ata ‘rob e të nënshtruar në adhurimin ndaj Rahmanit’, pra, rob të Rahmanit, për të treguar se ata arritën në këtë gradë nëpërmjet mëshirës së Tij.

Ai thotë se cilësitë e tyre janë më të mirat. Ja si i përshkruan Ai robërit e Tij në një ajet tjetër: “… janë ata të cilët ecin nëpër tokë të qetë.” Janë të qetë, modestë, të përulur ndaj Allahut dhe të sjellshëm dhe të mirë me krijesat e Tij. Ky është përshkrimi dhe pamja e tyre: ata janë plot fisnikëri, qetësi e modesti si në sjellen me Zotin, ashtu edhe në sjelljen me krijesat.

… e kur injorantët u drejtohen atyre me fjalë (fyese), ata thonë: “Paqe (selâm)!””– Kur njerëzit u drejtohen me fjalë injorantësh dhe të padrejtësh, ata thonë: ‘Selam’. Pra, u thonë fjalë që nuk të ngarkojnë me gjynah dhe fjalë që nuk janë të njëjta me fjalët e injorantëve. Kjo është një lëvdatë për ta, sepse i përshkruan si të dhembsur, të mëshirshëm e të butë. Janë aq të butë e tolerantë, saqë edhe keqbërësve u përgjigjen me bamirësi dhe falje. Ata i karakterizon një logjikë e shumë ekulibruar dhe maturi e pashembullt. Janë pikërisht maturia dhe mençuria e tyre që i bën të sillen në këtë mënyrë të vetëpërmbajtur.