Select Page

– “Ja, kështu (do të jetë), sepse Allahu, Ai është i Vërteti …” – Ai që vendosi ligjet e fesë dhe ligjet e krijimit dhe të përcaktimit, Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë. Ai është El Hak – i Vërteti, që kurrë nuk zhduket. Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka gjë. Ai është i Fundmi, pas së Cilit nuk ka gjë. Ai është i Plotë, Absolut në emrat dhe atributet e Tij. Ai është i vërteti në premtimet e Tij. Premtimi i Tij është i vërtetë, takimi i ringjalljes për llogarinë e drejtë para Tij është i vërtetë, feja e Tij është e vërteta, dhe vetëm adhurimi i përkushtuar Atij është i vërtetë, i dobishëm dhe që do të mbetet përgjithmonë.

– “… dhe se ata, të cilëve u luten përveç Tij janë veçse gënjeshtër e kotë.” – Çdo gjë tjetër që injorantët adhurojnë, si puta, idhuj, kafshë e sende, është e kotë në vetvete. Adhurimi i përkushtuar këtyre gjëave është gjithashtu i kotë dhe i dënueshëm. Ai nuk të sjell asnjë dobi, sepse u përkushtohet gjërave që janë të destinuara të shkatërrohen e të zhduken. Pra, i kotë është adhurimi i tyre dhe i keq është përfundimi ku ata të çojnë.

– “Allahu është Ai, i Lartësuari, i Madhëruari.” – Allahu është i Lartësuari në Veten e Tij. Ai është lart të gjitha krijesave. Ai është i Lartësuar, me cilësitë dhe atributet e Tij. Ai ka nënshtruar të gjitha krijesat e Tij. Ai është më i Madhëruari me emrat, cilësitë dhe veprat e tij madhështrore. Tregues i madhështisë e ngadhënjimit të Allahut është edhe fakti që, Ditën e Gjykimit, Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të shpalosen në të djathtën e Tij. Tregues i krenarisë së Tij është fakti që Kursia e Tij ka përfshirë qiejt dhe Tokën. Ai është Ngadhënjimtari dhe i Madhëruari, sepse të gjitha krijesat janë në Dorën e Tij dhe të nënshtruar para pushtetit të tij.

Asnjë nga krijesat nuk mund të veprojë pa lejen e Tij. Çdo gjë lëviz ose qëndron në prehje veçse me lejen dhe dëshirën e Allahut. Vërtetësinë dhe kuptimin e plotë të krenarisë dhe madhështisë së Allahut nuk e di askush, as ndonjë melek i afërt me Të dhe as ndonjë profet. Allahu është i emërtuar e i cilësuar me çdo emër e cilësi të madhështisë e krenarisë. Atij i takon grada më e lartë e të gjitha cilësive të plota. Pjesë treguese e krenarisë e madhështisë së Allahut është edhe fakti se të gjitha adhurimet e banorëve të qiellit dhe të tokës bëhen veçse për shkak të madhërimit, lartësimit e lavdërimit të Tij. Për këtë arsye, tekbiri “Allahu Ekber” është vendosur si simbol dallues i adhurimeve më të mëdha në Islam, siç janë namazi, haxhi etj.