Select Page

Është Ai që krijoi Natën dhe Ditën që ndjekin njëra-tjetrën … – Pasi largohet njëra, vjen tjetra. Kështu vazhdon gjithmonë dhe asnjëherë nuk mund të bashkohen ose të largohen që të dyja.

… për këdo që dëshiron të mendojë (në madhërinë e Tij) a dëshiron të jetë mirënjohës. – Këto janë shenja dhe argumente shumë të forta për të gjithë ata që dëshirojnë të nxjerrin mësime, që duan të kujtojnë qëllimet hyjnore dhe të jenë mirënjohës ndaj Zotit. Ato janë argumente edhe për ata që duan të përmendin shumë Allahun dhe t’i shprehin mirënjohjen përmes adhurimeve të përcaktuara gjatë natës dhe ditës. Kështu, atij që i ikën një adhurim që bëhet në njërën nga këto kohë, e bën në kohën tjetër që vjen pas.

Po kështu, edhe zërat ndryshojnë gjatë netëve dhe ditëve: njëherë janë plot gjallëri e vrull, pastaj janë të lodhur e të mekur, njëherë janë të gjallë dhe e përmendin shumë Zotin dhe më pas janë të pakujdesshëm. Kështu ndryshojnë edhe zemrat gjatë ditëve dhe netëve në përkushtimin dhe largimin nga Zoti. Zoti i bëri që ditët dhe netët të vërtiten dhe njeriu të sprovohet me këto ndryshime, që ta kuptojë mirë dhe të bindet se sa nevojë ka për Zotin e tij që ta forcojë dhe ndihmojë në të gjitha gjendjet. Nëse rrëzohet e dobësohet në një kohë, Ai ua mundëson që të forcohen, të përmendin Zotin dhe t’i jenë mirënjohës Atij në një kohë tjetër.

Edhe kohët e adhurimeve përsëriten çdo ditë e natë, që njeriu të ketë mundësi të marrë forca për adhurimin e Zotit. Ashtu siç përsëriten kohët, dita dhe nata, edhe robit i përsëriten kohët e dobësisë, por edhe të gjallërisë e vullnetit. Kështu, njeriu duhet të shfrytëzojë kohën e fuqisë e gjallërisë për t’i shërbyer atij në kohë dobësie. Të gjitha veprat në bindjen ndaj Zotit janë si vaditje për pemën e imanit në zemrën e robit.

Nëse njeriu nuk kujdeset ta vadisë pemën e imanit në zemrën e tij përmes adhurimeve, ajo do të thahet dhe do të vdesë. I lavdëruar qoftë Zoti me më të plotat dhe të sinqertat lavdërime, për të gjitha këto mirësi dhe mundësi që u jep krijesave! Pastaj i Madhëruari përmend mes gjithë këtyre mirësive edhe atë që është më e madhja mirësi dhe përkujdesje e Tij: forca për të bërë punë të mira, nëpërmjet të cilave njerëzit do të arrijnë gradat e larta, që janë dhomat e zbukuruara në Xhenetin e Tij. Më poshtë jepen cilësitë e adhuruesve të Rahmanit, që do të jenë në Xhenet.