Select Page

Medito pak në këto ajete të mrekullueshme, që flasin për mëshirën e gjerë të Allahut dhe për mirësinë e bujarinë e Tij të pakufishme. Ato tregojnë se është detyrim mirënjohja ndaj Atij që na i dhuroi këto mirësi. E si të mos e lavdërosh e t’i tregosh mirënjohje Atij, që është absolut në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe përkujdeset Vetë për krijesat e Tij. Ai është i Plotë, Absolut, i Gjallë e i Përjetshëm. Ai ka cilësi të plota e absolute në çdo aspekt, prandaj edhe meriton të lavdërohet, të madhërohet, të duhet me gjithë shpirt dhe t’i nënshtrohesh plotësisht. Ai është i lavdëruar për cilësitë e Tij të plota e të bukura, për veprat e Tij, të cilat janë të gjitha të mira. Ai është i lavdëruar edhe për krijimin, sundimin e përkujdesjen e Tij të plotë mbi krijesat e Tij.

Ai është i vetëm në këtë pozitë dhe lartësi. Allahu është i vetmi Krijues, Sundues, Zotërues dhe Administrues i çështjeve të krijesave të Tij. Çdo gjë që ndodh në botën qiellore e atë tokësore, në të shkuarën, të tashmen e të ardhmen janë tërësisht dhe vetëm në dorën e Zotit e nën pushtetin e Tij. Askush tjetër nuk ka në dorë ndonjë grimcë pushteti në dynja apo në ahiret. Të gjithë janë krijesa të dobëta, nevojtare, të nënshtruara e të përulura nën pushtetin e Absolutit. Atëherë, duke qenë i vetmi me këto atribute, Allahu duhet të jetë i vetmi i Adhuruar. Vetëm Allahu duhet të adhurohet, pra, të duhet, të madhërohet dhe vetëm Atij duhet t’i nënshtrohesh e t’i përulesh tërësisht, me bindje e përkushtim. Nëse vërtet ia njohim këto cilësi dhe merita Zotit, nga kjo, në zemrën e besimtarit, do të lindë njohja e thellë për Zotin dhe shtimi i diturisë rreth Tij, do të lindë dashuria, frikërespekti, madhërimi për Të, ashtu si do të ndriçojë shpresa për takimin me Të.

Medito pak mbi këtë çështje! Njohja e drejtë e Zotit dhe adhurimi i Tij janë dy qëllimet kryesore për të cilat Zoti i krijoi njerëzit e krijesat në përgjithësi. Me fjalë të tjera, Allahu i ka krijuar robërit e Tij thjesht që ta njohin dhe t’i shprehin Atij adhurimin e plotë.160  Angazhimi për arritjen e këtyre dy qëllimeve të larta garanton mirësi, sukses e fitore në dynja e në ahiret. Ato janë dhurata më e madhe që Zoti u ka ofruar dhe mundësuar krijesave. Ato janë lumturia më e madhe që mund të shijojë dikush në këtë dynja dhe, pa dyshim, rruga e vetme drejt mirësisë së përjetshme në ahiret. Nëse i ke ato të dyja, ke arritur çdo mirësi e begati, e nëse nuk i ke, atëherë të ka ikur prej duarsh mirësia dhe ke rënë në humnerën e të këqijave.

E lus Allahun e Lartësuar që të na i mbushë zemrat me njohje të thella dhe të vërteta rreth Tij dhe me dashurinë për Të. Le të bëjë Allahu i Madhëruar që të gjitha lëvizjet e ndjenjat tona, të dukshmet dhe të fshehtat, të jenë tërësisht dhe sinqerisht vetëm për Të dhe për kënaqësinë e Tij! Le t’i bëjë veprat tona të sinqerta për Të dhe sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij. Me të vërtetë, asnjë kërkesë nuk është e madhe për Allahun dhe askush nuk zhgënjehet kur troket në portën e Tij dhe i përgjërohet Atij. Më tej, i Madhëruari thotë:

– “Është Allahu Ai që natën e bëri për ju për të pushuar …” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar e bëri të errët natën, për të mirën tuaj e si mëshirë për ju, me qëllim që ju të pushoni pas aktivitetit të ditës, i cili, nëse do të ishte i pandërprerë, do t’ju shkatërronte. Ju shkoni natën në shtrat dhe Allahu i Madhëruar hedh mbi ju gjumin, që trupi dhe zemrat tuaja të qetësohen. Gjumi është një domosdoshmëri e jetës së njeriut, pa të cilin ai nuk mund të jetojë. Gjatë natës, gjithashtu, të dashurit gjejnë prehjen tek njëri tjetri. Nata u shërben të gjithëve për t’u çlodhur dhe për të rimarrë forcat që u nevojiten që të jetojnë ditën në vazhdim.

– “… dhe ditën e bëri të ndritshme (për të parë). – Kuptimi: Allahu i Madhëruar e bëri ditën të ndritshme nëpërmjet diellit, që lëviz në orbitën e tij. Kur rrezet e diellit shkëlqejnë, ju ngriheni nga shtrati, për t’u marrë me angazhimet e fesë dhe të kësaj dynjaje. Dikush e fillon ditën duke përkujtuar Zotin dhe duke lexuar Librin e Tij, dikush duke falur namaz, dikush duke studiuar, dikush me tregti, dikush me zanatin e vet. Shumë të tjerë nisen për udhëtim, në tokë a në det, të tjerë kujdesen për bujqësinë e bagëtinë e tyre etj.

“Allahu është Bamirës i madh për njerëzit, …” – Allahu u ka dhuruar shumë mirësi njerëzve. Është Ai që u ka mundësuar atyre mirësitë e përmendura në këto ajete dhe shumë e shumë të tjera. Allahu i Madhëruar përkujdeset për ta edhe duke larguar prej tyre shumë rreziqe e fatkeqësi. Ky fakt duhet t’i bëjë njerëzit që të jenë mirënjohës ndaj Tij dhe ta kujtojnë e lavdërojnë Dhuruesin e madh e Bujar. Por, megjithatë:

– “… por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.” – Ata nuk tregohen mirënjohës, për shkak të injorancës dhe padrejtësisë, që ka zënë vend brenda tyre. Të pakët janë mirënjohësit, ashtu sikurse thotë i Madhëruari: “Pak nga robërit e Mi janë mirënjohës.” [Sebe’e 13].  Mirënjohës janë vetëm njerëzit e vetëdijshëm për mirësitë e dhuruara nga i Madhëruari. Ata i nënshtrohen me përunjësi Allahut, duke i shprehur dashurinë dhe madhërimin e tyre për Të. Mirësitë që u ka dhënë Zoti i tyre Bujar, ata i shfrytëzojnë e shpenzojnë vetëm për ta adhuruar Atë, për t’iu bindur Atij dhe për ta kënaqur Atë. Fjalët, veprat dhe sjellja e tyre shprehin mirënjohje ndaj të Adhuruarit.

160 Fjala ibâdetun  ka dy kuptime:

1. Et-teab-budu / adhurimi. Pra nënshtrimi  ndaj Allahut krenar dhe të madhërishëm  duke  kryer  urdhërat  e duke i’u larguar ndalesave të Tij, nisur nga dashuria për Të dhe madhërimi  i Tij.

2. El muteab-bed bihi. Pra ajo nëpërmjet së cilës kryhet adhurimi. Ka thënë shejhul islam: “Ibadeti është një emër përfshirës i gjithçkaje që e do Allahu dhe është i kënaqur me to, qofshin  ato  fjalë apo punë, të dukshme (të jashtme) apo të fshehura (të brendshme). Imam Ibn Kajimi thotë: Adhurimi  ndërtohet mbi 15 themele apo baza. Ai  që i kompleton ato  ka arritur të kompletojë  të gjithë  nivelet e  adhurimit. Për të shpjeguar më hollësisht këtë themi: Adhurimet janë shpërndarë nëpër tre drejtime: zemër,  gjuhë dhe gjymtyrë.

Dispozitat  ligjore që lidhen me adhurimet  janë pesë. Uaxhib (e detyruar), mustehab (e pëlqyeshme), haram (e ndaluar), mekruh (e papëlqyeshme),  mubah (e lejuar). Pra zemra, gjuha  dhe gjymtyrët  do të adhurojnë Zotin nëpërmjet këtyre 5 mënyrave. Kështu plotësohen  15 baza të adhurimit.” El kurtubij ka thënë: “Themeli dhe thelbi i  adhurimit  është nënshtrimi dhe përunjësia. Prandaj edhe detyrat që sherijati ka parashtruar dhe  ligjëruar për të përgjegjëshmit ligjërisht  janë quajtur adhurime.

Sepse  njerëzit i kryejnë ato në shenjë nënshtrimi  dhe përunjësie ndaj Allahut të lartësuar.” El Imad ibnu Kethir ka thënë: “Adhurimi është: Bindja  ndaj Allahut  duke kryer urdhërat  dhe duke iu larguar ndalesave. Pikërisht ky është realiteti  dhe thelbi i  fesë dhe besimit islam. Islam dhe istislam janë   dorëzimi i plotë  ndaj Allahut të lartësuar, dorëzim i cili presupozon përkushtimin, nënshtrimin dhe  përunjësinë e plotë  ndaj Tij.”