– “Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ve roje për ju …” – Allahu është Sunduesi i krijesave të Tij. Mbi ta realizohet dëshira dhe gjykimi i Tij gjithëpërfshirës. Ata nuk zotërojnë as më të voglën çështje. Ata lëvizin apo qëndrojnë në prehje veçse me lejen dhe vullnetin e Allahut. Veç kësaj, Ai ka vendosur melekët e Tij si roje për robërit dhe si shënues të veprave të tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju.” [Infitar 10 – 12].
Ose: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet. Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues të gatshëm.” [Kaf 16 – 18]. Ky është kontrolli dhe regjistrimi i veprave të robërve në jetën e dynjasë.
– “Më në fund, kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin, dhe ata kurrë nuk bëjnë lëshime.” – Këta janë melekët e ngarkuar për marrjen e shpirtrave, të cilët nuk tolerojnë aspak në detyrën e tyre. Ata nuk i shtojnë e nuk i pakësojnë asnjë çast kohës së përcaktuar dhe të urdhëruar nga Zoti. Ata e zbatojnë urdhrin në kohën e përcaktuar nga Zoti i gjithësisë.