– “Thuaju: “A t’ju lajmëroj për një të keqe më të madhe se kjo, (që erdhi) si dënim nga Allahu? Ata mbi të cilët ra mallkimi i Allahut dhe zemërimi i Tij, ata që i shndërroi në majmunë e në derra dhe u bënë adhurues të Shejtanit …” – Thuaju, o Profet, duke ecur me logjikën e tyre, a t’ju tregoj për diçka që është më “e keqe” se ajo të cilën ju e konsideroni si mangësi e turp?
Gjendja më e keqe që ju duhet ta urreni dhe ta konsideroni si kërcënim për ju, është gjendja e atyre që Zoti i mallkoi, duke i dëbuar nga mëshira e Tij dhe duke u zemëruar me ta, për t’i ndëshkuar në dynja dhe në ahiret. Ai i shndërroi ata në majmunë e derra dhe i bëri adhurues të Shejtanit dhe të çdo gjëje tjetër veç Zotit.
– “… ata janë në gjendjen më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë.” – Mendojeni pak dhe kuptojeni se këta janë në gjendje më të keqe se ata që ju i shihni si të humbur dhe i urreni për besimin e tyre të saktë. Allahu i ka zgjedhur ata fatlumë, ndërsa mëshira e Tij është shumë pranë tyre. Allahu është i kënaqur me ta dhe i shpërblen në dynja dhe në ahiret, sepse ata ia përkushtojnë të gjitha adhurimet vetëm Atij, duke synuar kënaqësinë e Tij, edhe pse ju e urreni këtë gjë dhe e shihni si mangësi.