Select Page

– “Është Ai që jua merr shpirtrat natën (në gjumë) dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën. Më pas, Ai jua kthen ato, për të vazhduar (jetën) deri në afatin e caktuar.“ – Ky është një pohim e përforcim i njëshmërisë së Zotit në meritën e adhurimit dhe një argument shumë i fortë kundër idhujtarëve. Ajeti tregon se Allahu i Madhëruar i meriton të plota dashurinë, madhërimin, lartësimin dhe respektin. Allahu i Madhëruar është i vetmi që rregullon çështjet e krijesave dhe përkujdeset për to, kur ato janë zgjuar dhe kur janë në gjumë. Ai ua ngre shpirtrat, kur ato janë në gjumë dhe qetësohen. Lëvizjet e tyre reduktohen, që trupi t’u çlodhet.

Pastaj Ai i zgjon nga gjumi, që të punojnë për arritjen e mirësive të dynjasë dhe të fesë. Allahu i Lartësuar di për gjithçka që krijesat e Tij bëjnë. Kështu vazhdon jeta e tyre, nën kujdesin e Allahut të Madhëruar, derisa të plotësojnë afatin e jetës, që Ai ka caktuar për ta. Kur koha e caktuar nga Ai përfundon, ky është çasti i vdekjes së tyre. Më pas, ata i pret afati tjetër, ai i Ditës së Ringjalljes, prandaj i Lartësuari thotë:

– Në fund, tek Ai do të ktheheni, dhe do t’ju tregojë të vërtetën e asaj që keni bërë. – Pasi të vdisni, vetëm tek Allahu është kthimi i të gjithëve, tek askush tjetër, dhe Ai do t’ju shpërblejë për ato që keni bërë, mirë apo keq.