– “A nuk i ke parë ata që pohojnë se besojnë në Shpalljen që të është dhënë ty (o Muhamed) dhe në Shpalljet e ardhura para teje, por (në të vërtetë) dëshirojnë që mes tyre të gjykojë tagut-i (shejtani), megjithëse janë urdhëruar ta mohojnë atë?” – Allahu i Lartësuar sjell një pyetje, që shpreh habi njëkohësisht dhe që tregon për gjendjen e çuditshme të munafikëve, të cilët, edhe pse pretendojnë se e besojnë Shpalljen që iu dha Profetit, përsëri kërkojnë të gjykohen tek tagut-i.
Çdokush që gjykon jo me ligjin e Zotit është tagut. Pra, ata e kryejnë një krim të tillë, ndërkohë që janë urdhëruar për të kundërtën: që ta mohojnë dhe të distancohen nga tagut-i. Si mund të ndodhen në të njëjtën zemër besimi te tagut-i me besimin te Zoti i Lartësuar?!
Besimi i vërtetë kërkon që t’i nënshtrohesh ligjit të Zotit, ta zbatosh dhe ta marrësh për bazë atë në çdo lloj çështjeje. Çdokush që pretendon se është besimtar dhe pastaj parapëlqen gjykimin e tagut-it kundrejt gjykimit të Zotit, ai është gënjeshtar. Ky nuk është gjë tjetër, por veçse një devijim i madh, që Shejtani u ka shkaktuar atyre. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:
– “Shejtani dëshiron t’i çojë ata shumë larg (nga e vërteta).” – Pra, ai i mallkuari dëshiron t’i largojë shumë nga e vërteta e Zotit dhe që të bëhen banorë të Zjarrit.