– “Sa për ata që shpifin për gratë e veta …“ – Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një akuzë për imoralitet, së cilës i mungojnë katër dëshmitarë. Por në këtë rast nuk ndëshkohet pala akuzuese, që është bashkëshorti. Pse? Burri nuk do të bënte kurrë një akuzë të tillë për gruan e tij, pasi ky do të ishte cenim edhe i nderit të tij, gjithashtu. Normalisht, burri nuk do ta akuzonte kurrë bashkëshorten e tij, sepse kjo do të cenonte jo vetëm gruan, por edhe atë vetë.
Prandaj, kjo është një lloj shenje që burri edhe mund të jetë i vërtetë në atë që thotë. Në fakt, ai ka të drejtë të mbrojë të drejtat e tij, që i sheh se janë të rrezikuara, të drejta që nuk i kanë akuzuesit e tjerë. Allahu i Madhëruar thotë: “… ata që shpifin për gratë e veta …” Domethënë, ata që akuzojnë për imoralitet gratë e tyre. Bëhet fjalë për bashkëshortet e tyre të lira, e jo për skllavet.
– “… dhe nuk kanë dëshmitar tjetër përveç vetvetes …“ – Nëse akuzojnë gratë e tyre për imoralitet dhe për këtë nuk kanë asnjë dëshmitar okular, përveç vetes së tyre, atëherë:
– “… ata duhet të betohen katër herë në Allahun se po thonë solemnisht të vërtetën.“ – Burri duhet të deklarojë katër herë se thotë të vërtetën në dëshminë e tij, pra, se gruaja e vet ka bërë imoralitet (marrëdhënie intime jashtëmartesore). Ai duhet të thotë katër herë: “Dëshmoj para Zotit se them të vërtetën në akuzën time kundër saj për imoralitet!”